Lajmet

Problematikat aktuale dhe sfidat e sektorit të TIK-ut në Shqipëri

Sep 24 2013
0 Shpërndarje
Problematikat aktuale dhe sfidat e sektorit të TIK-ut në Shqipëri

Në kuadër të njohjes me problematikat aktuale të sektorit të TIK-ut në Shqipëri dhe diskutimit të tematikave të ndryshme që ndikojnë në zhvillimin e këtij sektori në vendin tonë, është zhvilluar në Qendrën Protik gjatë ditës së hënë një takim mes Ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe profesionistëve të fushës. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues nga institucione, organizata, biznese, akademikë, sipërmarrës, studentë dhe individë në veçanti.

Ministrja ka hapur takimin duke prezantuar fillimisht pikat më kryesore mbi të cilat është ndërtuar plani katër vjeçar i ministrisë që ajo përfaqëson. Rritja e kapaciteve vendase, ku përfshihen numri i shërbimeve elektronike, numri i studentëve të fushës, kompanitë e softuerëve etj., do të jetë një ndër elementet kryesore mbi të cilat do të fokusohet ministria gjatë muajve në vijim. Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të objektivave të matshme, me të cilat mund të vlerësohet dhe krahasohet realisht sektori i TIK, rritjen e transparencës, përmirësimin e shërbimeve të administratës, krijimin e kushteve të përshtatshme ligjore dhe ekonomike etj. Të gjitha këto do të jenë në funksion të rritjes së efikasitetit dhe pakësimit të korrupsionit, si një prej kërkesave themelore që i është parashtruar Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në veçanti, ministrja Harito përmendi një ndryshim që do të pësojë pozicioni i drejtorëve të IT-ve në ministri, të cilët, në ndryshim nga më parë, nuk do të jenë më mirëmbajtës të rrjeteve dhe infrastrukturës, por do të punojnë konkretisht për menaxhimin dhe drejtimin e projekteve dhe do të raportojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek ministrat përkatës.

Së dyti, si një ndër pikat e planit, ministrja vuri theksin mbi rritjen e shërbimeve të përshirë në arsim, veçanërisht pajisjen e shkollave të mesme me tabletë, në funksion të mësimit elektronik. Së fundmi, ajo u shpreh se qeveria do të punojë për të zhvilluar biznesin vendas, duke krijuar një fond kapital risku, i cili do të sjellë jo vetëm financim për kompanitë e sapokrijuara startup, por edhe burime në menaxhimin e projekteve, duke i udhëzuar ata se si të jenë të suksesshëm në treg. Në këtë mënyrë, hapen vende të reja pune dhe zhvillohet sektori i TIK në Shqipëri.

Pas përfundimit të fjalës së saj, ministrja ia la vendin diskutimeve dhe prezantimeve konkrete nga shoqata si AKSHI, AKCE, ALCIRT, ASIG, DEDAL e më pas nga bizneset, pedagogët dhe studentët. Dritan Mezini, në emër të shoqatës AITA, si përfaqësuese e biznesit të TIK-ut në Shqipëri, prezantoi disa pika konkrete për t’u shqyrtuar nga qeveria. Një prej tyre ishte investimi për të rritur peshën që TIK-u ka në PBB-në e vendit (nga 0.5–1% që është aktualisht të arrijë në 2.5–5% brenda viteve të ardhshme), si dhe duke marrë shkas nga praktika të ngjashme në vendet ballkanike, ulja e TVSH-së deri në 5% për kompanitë e sektorit të TIK-ut, si një mënyrat më të mira për të qenë konkurrentë edhe në rajon. AITA sugjeroi që arsimimi i fushës së TIK-ut të fillojë që në shkollë të mesme, në mënyrë që studentët të dalin sa më të përgatitur pas përfundimit të universitetit.

Profesor Neki Frashëri bëri një përmbledhje të çështjeve më problematike që hasen në universitete. Ai theksoi se ndihet nevoja për ndarjen e karrierës në universitete në dy drejtime, atë profesional dhe atë shkencor. Efektiviteti i laboratorëve është një çështje tjetër po aq e rëndësishme kur vjen puna tek përgatitja e studentëve dhe zhvillimi i mësimit. Ai kërkoi gjithashtu mbështetje më të madhe për akademikët që aspirojnë të prezantojnë punët e tyre kërkimore dhe shkencore nëpër konferencat ndërkombëtare, duke theksuar se kostoja për t’u paraqitur në to është shpeshherë e lartë, çka ul numrin e pjesëmarrësve nga Shqipëria. Një pikë tjetër e prezantuar nga profesori ishte edhe krijimi i kushteve për koordinimin e përgatitjes së specialistëve, pasi vendi nuk ka nevojë vetëm për nxitjen e kërkimit, por edhe për kualifikimin e duhur të pedagogëve. Së fundmi, ai theksoi rëndësinë e financimit në vazhdimësi të projekteve të TIK-ut nëpër universitete si dhe krijimin e një grupi pune përgjegjës për politikat ligjore dhe financiare në këto institucione.

Në fjalën e tyre, studentet që prezantonin degët e informatikës dhe telekomunikacionit, ngritën sërish problematikën me laboratorët dhe cilësinë e mësimdhënies së pedagogëve si dhe kërkuan zhvillimin e një rrjeti informativ online, përmes së cilit të realizohet në mënyrë uniforme shpërndarja e informacioneve si notat, kërkimet akademike etj. Edhe çështja e zhvillimit të praktikave është një problem më vete, duke qenë se studentët nuk gjejnë gjithmonë vendin e duhur për ta zhvilluar atë.

Sipërmarrësit prezentë në sallë diskutuan mbi mënyrën se si mund të ndihmojë qeveria në lehtësimin e kushteve të biznesit, si reduktimin e taksave gjatë viteve të para të krijimit të një kompanie të sektorit të TIK-ut, favorizimin e bizneseve që pranojnë studentët gjatë zhvillimit të praktikës mësimore, përfshirjen e bizneseve shqiptare në më tepër projekte qeveritare etj. Në lidhje me këtë të fundit, ministrja shprehu skepticizmin e saj duke theksuar se është detyrë e biznesit të garantojë cilësinë dhe të provojë që është më i miri. Ministrja Harito mbeti gjithmonë e hapur për diskutime të tjera si dhe parashtrimin e problematikave dhe zgjidhjeve të tyre, si një nga mënyrat më të mira për të garantuar ecurinë pozitive të sektorit të TIK-ut në Shqipëri. (PCWorld Albanian)

TIK

Lajmet e fundit>