Blog

Produktet më të mira të vitit

Dec 11 2010
0 Shpërndarje
Produktet më të mira të vitit

Në numrin e dhjetorit të revistës PCWorld Albanian, dhjetë faqe do t’u dedikohen produkteve të jashtëzakonshme të këtij viti dhe ju lexues do të keni mundësinë të kuptoni se cili është hardueri, softueri, shërbimi, web faqja apo aplikacioni më i mirë i vitit.

Ajo që përkufizon shprehjen “më i miri” është përcaktuar në bazë të disa kritereve të parashtruara nga stafi i PCWorld në SHBA, që ka vënë si kusht që produkti të jetë lansuar këtë vit ose të ketë shpalosur ndonjë veçori ose përditësim madhor gjatë këtij viti. Së dyti, produkti duhet të dallohet prej të tjerëve falë përpunimit të mirë nga prodhuesi, implementimeve të afërta me të përkryerën dhe lehtësisë në përdorim. Së

treti, produkti duhet të jetë i shkëlqyer dhe të ofrojë një vizion të shkurtër drejt të ardhmes së teknologjisë, duke sugjeruar se pas tij do të ketë inovacion. Produkti që ka arritur t’i plotësojë të tre kriteret është përfshirë në renditje.
Redaktorët e PCWorld, të udhëhequr nga Anne B. McDonald, kanë bërë përzgjedhjen e fituesit të këtij viti.

Është e pritshme që edhe më tej do të ketë debate të nxehta për produktet e renditura, pavarësisht takimeve të shumta, e-maileve të shkëmbyer dhe maratonës finale të diskutimeve. Në anën tjetër, mund të thuhet pa frikë se trendi i këtij viti ishte mobiliteti, që nënkupton se pajisjet më të vogla dhe portabile si dhe softuerët dhe shërbimet që i vënë ata në funksion kanë dominuar listën me konsensusin e shumicës së votuesve. Sot, celularët e mençur, siç i quajmë në shqip, kanë fuqi procesorike më të madhe sesa një kompjuter personal i disa viteve më parë, por nuk mund të thuhet se hardueri i zakonshëm ka vdekur, pasi shumë PC, laptopë dhe produkte të ngjashme me ta janë përfshirë në këtë listë.

Produktet shtesë në revistë

Meqë u përfol lista e produkteve më të mira të vitit, nuk duhet të lëmë anash të renë që shoqëron këtë numër të revistës.

Sigurisht që shumica e lexuesve që po lexojnë këta rreshta e dinë se këtë vit skena e gejmerëve dhe entuziastëve të softuerit të lirë dhe të hapur përfitoi dy produkte të shumëpritura dhe të nevojshme për këto dy komunitete të veçanta, dy produkte pa dyshim shumë të rëndësishme.

Së pari u lansua gameworld.al, një produkt i dedikuar për lojëra, sporte elektronike, analiza etj., dhe së dyti u lansua openworld.al, një produkt i dedikuar për çdo gjë që lidhet me softuerin e lirë dhe të hapur. Reagimet kanë qenë jashtëzakonisht pozitive dhe kjo ndoshta ishte njëra prej arsyeve pse u vendos që për herë të parë në kuadër të revistës PCWorld Albanian t’u ofrohet hapësirë e veçantë këtyre dy mediumeve me shkrime, analiza e lajme përkatëse.

Në këtë formë, lexuesve të PCWorld Albanian do t’u ofrohet mundësia që të kenë në duar jo vetëm informata të profileve të ndryshme, të cilat ata i kanë gjetur në çdo numër të revistës, por edhe dy shtojca të përgatitura veçanërisht për këta dy sektorë shumë të pëlqyer, sidomos nga të rinjtë.

Ndërsa në fund ju mbetet juve që të bleni revistën e të kuptoni përzgjedhjen për produktet më të mira të vitit dhe për shtojcat e reja në kuadër të saj.

Lajmet e fundit>