Lajmet

Progarmai “Academic Exchange for Progress” ofron shkëmbimet akademike në fushën e ICT-së

Mar 28 2014
0 Shpërndarje
Progarmai “Academic Exchange for Progress” ofron shkëmbimet akademike në fushën e ICT-së

20140327_113219Gjatë ditës së mërkurë u zhvillua në Tirana International Hotel seminari mbi programin “Academic Exchange for Progress (AEP)”, i cili zhvillohet në bashkëpunim me shtetet si Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Norvegjia. Fokusi kryesor i AEP-së është sektori i ICT-së në Ballkan. Përmes shkëmbimeve akademike me Gjøvik University College në Norvegji synohet të arrihet marrja e përvojës dhe zgjerimi i njohurive të studentëve më të mirë në një prej universitetet më të mira norvegjeze.

Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Lindita Nikolla shprehu mbështetjen për nismën “Academic Exchange for Progress” dhe theksoi se progresi duhet të vijë për gjithë arsimin në Shqipëri dhe jo vetëm për institucionet e larta. “Zhvillimi dinamik dhe ndryshimet e shpeshta kërkojnë që kurrikula e teknologjisë së informacionit të përditësohen me risitë e njëpasnjëshme që prodhon industria dixhitale. Kjo duhet bërë duke ndjekur vazhdimisht rrymat e ndryshimeve dhe duke i integruar ato në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në mënyrë që brezi ynë i ri të arsimohet me dijet më të fundit të fushës. Risitë në cloud computing dhe aplikacionet mobile krijojnë mundësinë që çdo informacion të jetë i disponueshëm kurdo dhe kudo. Por, që informacioni të jetë i dobishëm, ai duhet të jetë i saktë dhe i mbrojtur, ndaj vlerësova shumë faktin që një nga fokuset e punës suaj është pikërisht siguria e informacionit. Ministria e Arsimit ka zhvilluar disa bashkëpunime me aktorë të ndryshëm në këtë fushë me qëllim edhe rritjen e ndërgjegjësimit për një internet më të sigurtë që në arsimin fillor.”

20140327_111826Ministrja u shpreh gjithashtu se rritja e cilësisë së pedagogëve dhe studentëve rrit konkurrencën në treg duke ndihmuar kështu edhe në aspektin social dhe rritjen ekonomike. Për këtë arsye, Ministria do të marrë pjesë në programe si Oracle 2020 apo Erasmus Plus, për të ndihmuar në kërkimin shkencor në vendin tonë. “Qeveria synon që përmes dixhitalizimit total të arsimit të ngushtojë hendekun dixhital dhe fton studentët e teknologjisë së informacionit që praktikën ta zhvillojnë në shkollat ku ndihet nevoja për aftësimin e nxënësve dhe mësuesve në këtë proces,” përfundoi Nikolla.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule shprehu vlerësimin për projektin mjaft efektiv i cili zhvillohej për të katërtin vit si dhe falenderoi Ministrinë e Jashtme Norvegjeze për mbështetjen dhe bashkëpunimin në këtë program si dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës për prioritetin me të cilin e kanë trajtuar procesin e shkëmbimit akademik. Kule tha se studentët që kishin qenë pjesë e këtij programi jo vetëm që e kishin përfunduar atë me rezultate dhe vlerësime të larta, por njëkohësisht edhe ishin integruar mjaft mirë në biznes apo në sektorin shtetëror pas kthimit të tyre në Shqipëri.

“Fakulteti i Ekonomisë është në kuadrin e propozimit të hapjes së një programi të ri që gjenerohet nga ky projekt. Programi për sigurinë e informacionit me të drejtë është vlerësuar nga fakulteti dhe besoj se strukturat përkatëse do ta miratojnë pasi është një program që gjykojmë se tregu e kërkon.”

“Academic Exchange for Progress” pati një pritje pozitive sidomos nga studentet bachelor, master e PhD. Këta të fundit, përmes tre përfaqësuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndanë me të pranishmit përvojën e tyre akademike në Norvegji dhe përfitimet që kishin marrë falë kësaj eksperience të vlefshme.

20140327_111758Në vijim, gjatë paneleve të diskutimit, bizneset ngritën çështje më delikate si ato të mospërputhjes së botës akademike me atë profesionale. Gjithashtu, u diskutua fakti që universitetet shqiptare, ato të Kosovës dhe të Maqedonisë të marrin në konsideratë kthimin e projekteve shkollore në projekte reale të biznesit ku këta të fundit të prezantojnë problemin dhe studentët të zhvillojnë zgjidhje. Kjo praktikë do t’i sillte studentët më pranë kërkesave të tregut.

Në panel u diskutua edhe mbi vlerën e kërkimit shkencor ku Edmond Harizi përmendi se: “Nuk ka kërkim të mirë apo të keq pasi çdo kërkim ka rëndësinë e vet.” Dritan Mezini nga AITA ngriti problemin e buxhetit të kompanive shqiptare të cilat nuk kanë mundësi në zhvillimin e kërkimeve. Ndërkohë përfaqësuesit nga HERD theksuan se duhet të merret në konsideratë kthimi i projekteve kërkimore në projekte të paguara monetarisht. Nga ikub.al u përmenden probleme të mungesës së aftësive profesionale por edhe të atyre “soft” nga studentët që punësohen pas përfundimit të universitetit në bizneset private. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>