Lajmet

Projekti Girls Coding Kosova synon të motivojë femrat që të merren me programim

Jul 1 2014
0 Shpërndarje
Projekti Girls Coding Kosova synon të motivojë femrat që të merren me programim

10407193_289172271261073_8263129711162600770_nNumri i femrave që merren me teknologji është mjaft i vogël në krahasim me atë të meshkujve, tendencë kjo e cila tregohet edhe nga raportet e fundit nga gjigantët e teknologjisë si Google, Facebook e Yahoo, të cilat kompani kanë shumicën dërmuese të punonjësve që i takojnë gjinisë mashkullore. E kjo gjë ka nxitur dikë që në Kosovë të merren masa për ndryshim të kësaj gjendje. Projekti Girls Coding Kosova është një nismë e re e filluar së fundi që ka për qëllim inkurajimin dhe motivimin e femrave që të zgjedhin fushën e programimit si mundësi për profesionin e tyre.

Blerta Thaçi, e cila është pjesë e stafit që qëndron prapa këtij projekti, tregoi për PCWorld Albanian që ideja ka ardhur se, ndonëse ka mjaft femra që kanë filluar të zgjedhin që të merren me programim, ato në tregun e Kosovës nuk arrijnë të inkuadrohen në vende të punës në drejtimin për të cilin përgatiten. Prandaj janë duke u bërë plane për të filluar organizimin e ngjarjeve të ndryshme, duke filluar nga takime mujore, trajnime e punë praktike për të ofruar mundësinë e praktikimit dhe ofrimit të mundësive të ndryshme.

Ende nuk është treguar data mbajtja e ngjarjes së parë, por kjo gjë pritet të bëhet së shpejti. Disa nga ngjarjet që janë planifikuar të mbahen në të ardhmen janë: Girl Geek Dinner, Rails Girls, seancat praktike për Open Source dhe për zhvillim të aplikacioneve për pajisje mobile. Shpresojmë që edhe fituesja e çmimit Ylli në Ngritje në “Albanian ICT Awards 2013”, Evis Hoxha, të jetë një frymëzuese për femrat shqiptare që të merren me programim. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>