Lajmet

Promovohet shërbimi i njësimit të diplomave dhe certifikatave të huaja të arsimit të lartë

Apr 5 2017
0 Shpërndarje
cilat janë përfitimet direkte për qytetarët, që aplikojnë online për njësimin e diplomave të huaja si bachelor, master dhe doktoraturë? Promovohet shërbimi i njësimit të diplomave dhe certifikatave të huaja të arsimit të lartë Photo Source: eAlbania

Në ambientet e “Innovation Hub”, në Godinën e Inovacionit u prezantua shërbimi “Njësimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja të arsimit të lartë”, në praninë e ministres së Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, znj. Milena Harito, drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, drejtuesve të institucioneve të tjera të varësisë, specialistëve të fushës dhe përfaqësuesve të medias.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit shprehu vlerësimin e madh për nisjen e funksionimit të këtij shërbimi elektronik, duke shënuar mbajtjen e një premtimi të rëndësishëm për qytetarët.

“Vënia në punë e shërbimit sjell uljen e kohës për marrjen e shërbimit, me kosto të reduktuar dhe me transparencë të plotë institucionale për qytetarët e interesuar. Eshtë një lajm i mirë për studentët që studiojnë jashtë shtetit, por edhe për publikun shqiptar, pasi ofrojmë një shërbim të ri modern, duke u larguar përfundimisht nga formula e vjetër. Ky është një shërbim që do të kryhet me të gjitha standardet cilësore”, u shpreh znj. Nikolla.

Ministrja e MIAP-it, znj. Harito tha se qeveria ka në synimet e saj afrimin e njerëzve të talentuar, të përkushtuar dhe të mirëshkolluar në administratë dhe në të gjithë elementët e shtetit.

“Reforma në administratën publike ka në thelbin e saj modernizimin e shtetit në të gjithë sektorët, me qëllim përmirësimin e shërbimit për qytetarët. Një pjesë e kësaj përpjekje është dixhitalizimi dhe teknologjia e informacionit që mundëson modernizimin e shtetit. Një shembull i gjithë përpjekjes që kemi bërë është sot shërbimi i njësimit të diplomave të huaja”, u shpreh znj. Harito.

Edhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj.Karçanaj u shpreh se reforma në shërbimet publike dhe në administratë është një prioritet, nga i cili rrjedhin detyra dhe angazhime konkrete për të gjitha institucionet dhe agjencitë.

“Shërbimi ‘Njësimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja të arsimit të lartë’ është një prej hapave të sigurt drejt dixhitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve institucionale arsimore. Me anë të shërbimit, të diplomuarve jashtë Shqipërisë iu ofrohet mundësia për aplikimin online për njësimin e diplomave dhe certifikatave të tyre, të cilat i përkasin niveleve nga 5 deri në 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve të lëshuara nga institucionet e huaja të arsimit të lartë”, tha znj.Karçanaj.

Por cilat janë përfitimet direkte për qytetarët, që aplikojnë online për njësimin e diplomave të huaja si bachelor, master dhe doktoraturë?

Nga përdorimi i shërbimit shkurtohet në kohë i përfundimit të procedurës: Nga 3 muaj që ka qenë deri më sot, përgjigjja përmes këtij aplikimi reduktohet në 45 ditë.

Gjithashtu kostot financiare lehtësohen; tarifa për çdo diplomë që kërkohet të njësohet është 2,000 (dy mijë) lekë për aplikimet e kryera online dhe 4,000 (katër mijë) lekë për aplikimet e kryera vetëm në formë shkresore. Për gradat shkencore tarifa për çdo diplomë që kërkohet të njësohet, është 3,500 (tre mijë e pesëqind) lekë për aplikimet e kryera online dhe 5,000 (pesë mijë) lekë për aplikimet e kryera vetëm në formë shkresore.

Portali e-Albania me mundësinë e aplikimit të përqendruar, funksional në çdo kohë dhe nga çdo pikë aksesi në internet, e vendos aplikantin përballë një realiteti tjetër shërbimesh.

Aplikimi online ndihmon edhe në krijimin e një baze të dhënash, apo një statistike dinamike për numrin e personave që mendojnë të kthehen në Shqipëri, për të marrë të dhëna mbi kategoritë profesionale që janë më shumë të interesuar për të punuar në Shqipëri, çfarë tërheq më shumë tregu etj.

Përfitimet janë të shumta dhe ato vijnë sigurisht krahas një standardi të ri në shërbime në fokus të të cilave është qytetari.

Lajmet e fundit>