Biznes

Promovoni biznesin me video online

Mar 9 2010
0 Shpërndarje
Promovoni biznesin me video online

Merrni parasysh marketingun e suksesshëm të episodeve “Will It Blend?” nga Blendtec. Përmes videove në YouTube, ata shtuan shitjet për 500 për qind. Nuk është keq për disa minuta para kamerës dhe pak mundim për editim.
Agjentët e patundshmërive ishin ndër të parët që kanë shfrytëzuar përparësinë e video klipeve në internet, duke u ofruar blerësve potencial pamje nga shtëpitë që janë në ofertë. Por video ofron përparësi që mund të përdoren nga shumica e bizneseve.

Pse video?
Video në internet është ende në fillimet e saj që të ketë ndonjë rol dominues. Njerëzit zakonisht përdorin internetin për të kërkuar informacione rreth produkteve apo shërbimeve që dëshirojnë të blejnë. Por të dhënat e trafikut të web faqeve tregojnë se një përqindje e madhe e vizitorëve klikojnë për të dalë jashtë faqes për disa sekonda. Ata e skanojnë tekstin dhe fotografitë dhe bëjnë një gjykim të shpejtë nëse faqja ka diçka për t’u ofruar atyre ose jo. Kështu që është mjaft vështirë t’i tërhiqni vizitorët që të lexojnë gjithë web faqen tuaj, më mirë është t’i lejoni të klikojnë në faqe të caktuara për të pasur qasje në informacionet e mëtutjeshme.
Për dallim, njerëzit kur fillojnë të shikojnë një video klip ka më shumë mundësi që ta shikojnë atë deri në fund. Kjo ju jep mundësi më të mirë që t’i shtyni ata të marrin gjithë mesazhin tuaj.

Cili është mesazhi juaj?
Hapi më i rëndësishëm është të vendosni se çfarë dëshironi t’i tregoni audiencës tuaj. Ndoshta keni ndonjë produkt të ri, të cilin konsumatorët mund të mos e kuptojnë. Në këtë mënyrë, një “shitje edukative”, në të cilën shpjegoni kategorinë dhe përfitimet që ajo ofron – mund të jetë më e përshtatshmja. Nëse produkti ose shërbimi juaj është i ngjashëm me konkurrencën tuaj – të themi shitja e shtëpisë, atëherë duhet të bëni “shitje krahasuese”, e cila paraqet përparësitë që produkti apo shërbimi juaj ofron. “Shitja promovuese” bën ofertë speciale si zbritje ose bonus për njerëzit që shohin këtë video.

Dizajnoni video klipin tuaj
Bëjeni të shkurtër. Katër ose pesë minuta është limit i mirë për një video promovuese. Nëse është më e gjatë se aq, edhe audienca juaj mund të ikë. Gjithashtu madhësia e skedarit është më e vështirë për t’u menaxhuar.
Nëse është e mundshme, krijoni video në formatin MP4. Kjo është duke u bërë standard në videot në internet dhe ka kompresim të mirë, që i mban skedarët tuaj më të vegjël. Formati i gjerë gjithashtu i përshtatet proporcionit të ri HDTV, duke i dhënë videos suaj pamje më të mirë.
Krijoni videon tuaj me 720p rezolucion (1280 me 720 pikselë) – shumica e aparateve më të lira se 400$ xhirojnë video 720p. Shumë faqe, duke përfshirë YouTube, gjithashtu përkrahin klipet high-definition, dhe videot tuaja do të duken më mirë.
Një vërejtje rreth përdorimit të humorit: Ajo që është qesharake për një person mund të jetë ofenduese për dikë tjetër. Përveç nëse jeni duke iu drejtuar një audience që e njihni mirë, një afrim më i ngadalshëm është zakonisht më i sigurt.

Distribuoni videon tuaj
Përveç postimit të videos suaj, duhet të bëni më shumë. Duhet ta vendosni atë në shumë vende, kështu që njerëzit mund ta gjejnë atë. Merrni parasysh përdorimin e një shërbimi për ngarkim në lidhje me distribuimin. TubeMogul.com është shërbim falas që do ta postojë videon tuaj në shtatë apo më shumë video sajte, duke përfshirë MetaCafe dhe Yahoo Video si dhe në YouTube. Ky shërbim automatikisht e rregullon videon tuaj që të përshtatet me kërkesat e sajtit (edhe pse të gjitha pranojnë MP4). Ju vetëm ngarkoni skedarin tuaj në TubeMogul dhe ky shërbim kryen pjesën tjetër të punës.
Keni parasysh optimizmin për kërkim kur postoni. Zgjidhni etiketat e duhura, kështu që shikuesit do të mund t’i gjejnë më lehtë klipet tuaja.

Postimi i klipit tuaj në faqet për video shkëmbim e bën më të lehtë vendosjen e tyre në web faqe të ndryshme. YouTube krijon kod HTML, të cilin mund ta kopjoni dhe ngjisni, duke e vendosur aplikacionin dhe videon tuaj në web faqen tuaj. Promovojeni klipin tuaj duke gjetur web faqe të tjera që linkojnë lokacionin e videos tuaj ose do të postojnë videon tuaj në web faqen e tyre.
Më së miri është të lëshoni një komunikatë për media me të cilën paraqisni videon tuaj. Dërgojeni te burimet lokale të lajmeve, nëse dëshironi të shisni vetëm në vendin tuaj, ose provoni shërbimet me kosto të ulët si SBWire.com ose PRFree.com, e cila i dërgon komunikatat e shtypit në një gamë të gjerë mediash.

Gjithashtu përfitoni nga përparësia e rrjeteve sociale për të promovuar videon tuaj. Vendoseni në faqen tuaj në Facebook. Përdorni edhe faqe të tjera si Digg, StumbleUpon, del.icio.us dhe Reddit.
Përfundimisht, mos e braktisni klipin tuaj. Nëse produkti ose shërbimi juaj ndryshon ose video klipi është vjetruar apo nuk është aktual, largojeni nga faqet ku e keni postuar.
Një video e punuar mirë do të dërgojë mesazhin tuaj tek audienca juaj duke e rritur biznesin tuaj.

Lajmet e fundit>