Lajmet

Programi i Akselerimit në Protik: Ndërtoni biznesin tuaj dhe mësoni nga më të mirët

Oct 8 2014
0 Shpërndarje
Programi i Akselerimit në Protik: Ndërtoni biznesin tuaj dhe mësoni nga më të mirët

Protik1

Qendra Protik me mbështetjen e Ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, po ndërmerr projektin e saj më të ri, një program akselerimi për sipërmarrësit e rinj që operojnë në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Ky projekt synon jo vetëm të ndihmojë në zhvillimin dhe promovimin e ideve inovatore të biznesit, por edhe të përshpejtojë rritjen, praninë dhe ndikimin në treg të bizneseve të reja ekzistuese. Protik do të bashkëpunojë ngushtësisht me AIDA-n, Yunnus dhe me iniciativa të ngjashme programesh akselerimi për të mbështetur këto biznese të reja dhe për ti promovuar ato në tregjet lokale dhe ato rajonale.

Gjatë gjashtë muajve të implementimit të këtij projekti, të përzgjedhurit do të akomodohen në ambjentet e Qendrës Protik. Ata do të kenë zyra me PC të lidhura me internetin, akses në sallën e konferencave, gjithashtu edhe në programin BizSpark (për të përdorur falas produktet Microsoft). Bizneseve fituese do t’ju ofrohen trajnime të ndryshme mbi sipërmarrjen, si krijohet një plan biznesi, se si mund të arrijnë në një menaxhim sa më të suksesshëm dhe strategjik të SME-ve dhe hapat që duhen ndjekur në fillimin e një biznesi të ri. Gjithashtu ky projekt ofron shërbime konsulence nga firma të mirënjohura, si Kalo & Associates, si edhe aktivitete networking gjatë të cilave, do iu jepet mundësia të takojnë dhe të konsultohen me biznesmenë të suksesshëm në fusha në të cilat ata mund të kenë interes.

Qendra Protik fton të gjithë ata individë apo grupe me projekte inovatore dhe biznese të reja që operojnë prej jo më shumë se 2 vite në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, të bëhen pjesë e kësaj nisme për të sjellë në jetë idetë e tyre dhe për të përshpejtuar rritjen e bizneseve te tyre. Kështuqë mund të akseleroni biznesin tuaj duke ndërtuar marka të fuqishme produktesh duke mësuar nga profesionistë. Ky program akselerimi ju ofron të gjitha mjetet e nevojshme për të arritur suksesin e dëshiruar. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>