Analiza

Prova praktike e iTunes 11

Dec 5 2012
0 Shpërndarje
Prova praktike e iTunes 11

Kur aktivizoni për herë të parë iTunes 11, do t’ju duket shumë më ndryshe sesa iTunes me të cilin jeni mësuar. Arsyeja është se është tmerrësisht ndryshe, nga larmia e zgjedhjeve për ndërfaqen e përdorimit te ikona e re e saj, e cila tani i ngjan më shumë asaj të Mac App Store.

Dizajni skaj-më-skaj

Nëse doni, mund të keni prapë shiritin anësor të iTunes, madje me ngjyrat e pre-iTunes.

Gjëja e parë që do të vëreni me të hapur iTunes e ri është se shiriti anësor, ai që ka linket me listën e këngëve tuaj, iTunes Store, librat, filmat, podkastet- nuk është më. Apple e përshkruan pamjen e re si dizajn “skaj-më-skaj”.

Në vend të përdorimit të shiritit, ju keni një menynë rënëse për të naviguar në seksionet e aplikacionit dhe një buton në pjesën e sipërme djathtas për të shkuar në iTunes Store.

Por nëse nuk e pëlqeni këtë pamje, mund të ktheheni te pamja e vjetër me shirit anësor.

Shkoni në View menu dhe zgjidhni Show Sidebar. Një tjetër pasojë e dizajnit “skaj-më-skaj” është shiriti i statusit, ai në fund që liston numrin e këngëve në librarinë tuaj ose në listën e këngëve, që tregon se sa kohë duhet për t’i dëgjuar këngët dhe hapësira që zënë në hard disk.

Mund ta riktheni këtë tipar duke shkuar në menunë View, ku zgjidhni Show Status Bar. Në iTunes 11 ka disa koncepte të reja dizajni, që e bëjnë të ketë ngjashmëri me dizajnin e Apple, si të ishte një iOS dhe jo OS X.

Kur klikoni në një nën-menu, Genius Suggestions, për shembull, nuk hapet si nën-menu e re, por në një ekran të ri. Kur klikon në një album në Album view hapet lista e këngëve ngjashëm me iTunes Store.

Këto menu i shikoni edhe në veçoritë e reja si Up Next ose kur mbani mausin mbi një këngë që po e dëgjoni, në Now Playing.

Up Next

Up Next është njëra nga veçoritë e reja kryesore të iTunes 11, që ju mundëson të shikoni se cilat këngë do të dëgjoni më vonë dhe mund t’i ndryshoni radhën. Up Next mund ta përdorni falë ikonë në pjesën e djathtë sipër si dhe në menunë View.

Kur është e hapur, mund të shihni këngët që iTunes planifikon të luajë pastaj dhe të hiqni ato që nuk doni. Mund të merrni një këngë të caktuar dhe ta shtoni në listën Up Next ose mund të tërhiqni dhe lëshoni një këngë në seksionin Now Playing për t’ia shtuar listës Up Next.

Kur shtoni manualisht këngë në listën Up Next, iTunes ju pyet nëse jeni duke ndërruar listën e këngëve, prandaj del një kuti dialoguese që ju kërkon të konfirmoni nëse doni të fshini përzgjedhjen aktuale Up Next në favor të një tjetre. Është pak e bezdisshme të të ndërpresin sepse ti sigurisht thua po, dua të dëgjoj listën e re, por ndoshta ky element do të përmirësohet në versionet e tjera.

Kur kaloni mbi lista të tjera këngësh do të shihni butonin Play. Shtypeni dhe muzika nis menjëherë. Nëse mbani të shtypur Option, butoni Play bëhet buton Plus dhe klikimi i tij shton këngë të tjera në listën e përzgjedhur të Up Next.

Shikimi i albumeve

Kur klikoni në një album, shikoni një pamje të albumit të cilin iTunes 11 e merr nga albumi dhe e përdor si sfond. Pamja e zgjeruar e albumit i merr ngjyrat nga kopertina e vetë albumit. Albumi i zgjeruar ju ofron dy lista në pjesën e djathtë: Songs dhe In The Store.

E para liston të gjitha këngët që ka albumi, kurse i dyti i lëviz këngët tuaja në të majtë të ekranit, kurse në të djathtë janë artikujt e iTunes: këngët më të mira të një këngëtari të caktuar. Në seksionin Store listohen edhe këngë që ju i keni, madje janë të majtë të ekranit dhe albumit që po shihni.

Nëse doni të blini një këngë, mund ta bëni duke klikuar pa u larguar nga ekrani, ose shkoni në iTunes Store për më shumë informacion, por në këtë rast nuk ktheheni dot te pamja e zgjeruar e albumit. Pasi keni mbaruar shikimin e pamjes së zgjeruar të albumit, mund ta klikoni butonin e mbylljes ose të klikoni një tjetër album.

MiniPlayer

MiniPlayer i iTunes 11 ju tregon titullin e këngës dhe emrin e këngëtarit; kur kaloni sipër këngës me maus, ju shfaqen kontrollet e luajtjes së këngës.

Fansat e iTunes MiniPlayer janë të gëzuar për iTunes 11 sepse kjo dritare është ndër tiparet më të dallueshme të produktit të ri.
Tashmë kemi një buton për MiniPlayer në këndin e djathtë sipër të dritares. Kur klikohet, dritarja kryesore iTunes zhduket dhe zëvendësohet nga MiniPlayer, por mund t’i keni që të dyja nëse doni: me dritare hapur, shkoni në menynë Window dhe zgjidhni MiniPlayer.

Mund të kërkoni librarinë tuaj dhe të ndërveproni me rezultatet nga dritarja e MiniPlayer.

MiniPlayer i ri është shumë më funksional se i vjetri. Ai paraqet titullin e albumit, titullin e këngës dhe artistin, por kur kaloni me maus sipër saj, tregon edhe kontrollet: Previous Track, Play/Pause dhe Next Track.

Keni gjithashtu kontrollin e dëgjimit AirPlay, menunë për vlerësimin e këngëve të tjera. Krahas kësaj, MiniPlayer iu jep akses në veçorinë Up Next si dhe në atë të kërkimit.

Klikoni ikonën e lupës dhe do të dalë një fushë kërkimi; fusni një term dhe do të keni listën e emrave korrespondues.

Mund ta mbyllni në çdo moment MiniPlayer duke klikuar butonin x majtas lart ose duke shkuar në dritaren kryesore duke klikuar ikonën drejtkëndëshe poshtë saj.

TV, filma dhe video

Ndoshta funksioni më i rëndësishëm në iTunes 11 që na bën shumë optimistë është mbështetja e saj për shikimin e videove nga iCloud. (Kjo vlen për podkast dhe muzikë.)

Çdo gjë që keni blerë nga iTunes Store duhet të jetë e luajtshme edhe në qoftë se ju nuk e keni shkarkuar atë (ose e keni hequr) nga kompjuteri juaj.

Kjo do të thotë se, për herë të parë, ju mund të përdorni iTunes për të shikuar filma dhe shfaqje televizive që i keni blerë, por nuk i keni shkarkuar.

Të shikosh videot e blera nuk kërkon shkarkim në iTunes 11. Çdo gjë që ju keni blerë nga iTunes Store mund të transmetohet direkt në kompjuterin tuaj. Për muzikën në thelb funksionon si iTunes Match: ju mund të shikoni këngë që i keni blerë nga iTunes Store edhe nëse nuk janë në kompjuterin tuaj.

Për më tepër, Apple thotë se iTunes tani do të sinkronizojë shikimin e filmave dhe shfaqjeve tuaja televizive: nëse filloni t’i shihni në Mac tuaj dhe ndalni me pause, mund të kaloni në iPad tuaj dhe të shikoni videon aty ku e latë.

Store

Si në iOS 6, iTunes 11 mban mend median që keni parë në iTunes Store herën e fundit dhe ua rikujton. Si me iOS 6, Apple ka ndryshuar pak edhe iTunes Store në iTunes 11. Shiriti i kategorive ka ndryshuar dhe ka një funksion të ri Preview History, i cili ju lejon të kërkoni nëpër të gjitha mediat që keni parë më herët në iTunes Store.

Në këtë mënyrë, ju mund ta rishikoni ose ta blini këngën që keni parë para tri ditësh.

Sinkronizimi

Ju do të përdorni iTunes 11 për sinkronizimin e pajisjeve iOS (dhe iPod tradicional). Procesi ka mbetur i njëjtë, por pamja ka ndryshuar. Përmbledhja dhe Info kanë pamje të re, kurse tabi Apps sjell një dizajn të ri.

Përsëri nuk kemi ndryshime në përdorim, por dizajnerët e Apple kanë bërë disa ridekorime.

Sinkronizimi është ende pjesë e Tunes 11, por me ndërfaqe të re.

Kur pajisja juaj iOS ose iPod është i lidhur, do ta shihni ose në shiritin anësor të iTunes ose si një buton djathtas lart, pranë butonit Store. Një buton i dytë shërben për të shkëputur pajisjen e lidhur. Kur pajisja juaj lidhet, do të shihni tabin “On this [iPad/iPhone/iPod]” teksa shihni në iTunes.

Kur klikoni, do të mund të luani të gjitha mediat që keni në të. Kur klikoni Add To button, iTunes 11 ju jep pamjen e librarisë suaj, nga ku mund të merrni video e muzikë dhe t’i kaloni në pajisjen e lidhur; por mos e bëni këtë kur keni aktivizuar iTunes Match. (PCWorld Albanian)

Tags >

iTunes
Lajmet e fundit>