Biznes

Pse dështoi Microsoft Surface RT

Jul 25 2013
0 Shpërndarje
Pse dështoi Microsoft Surface RT

Javën e kaluar Microsoft-i prezantoi për publikun rezultatet financiare të tremujorit të kaluar. Surface RT i kishte sjelle kompanisë 900 milionë $ humbje.

Rezultatet erdhën vetëm disa ditë pasi kompania kishte njoftuar se do të ulte me 150 $ çmimin e tabletit. Që prej lançimit të tij në vjeshtën e 2012-s, Microsoft-i ka pasur probleme t’i bindë konsumatorët për vlerën e tabletit me Windows-RT. Ndërkohë, tableti tjetër Surface Pro ka pasur më tepër sukses.

Teksa një vit më parë, pas lançimit, Surface RT të krijonte përshtypjen se do të ishte një produkt i mrekullueshëm dhe i denjë për të konkurruar me iPad-in apo tabletët e tjerë me Android – sot, një vit më vonë, nuk mund të themi të njëjtën gjë. Ai sapo i ka kushtuar Microsoft-it pothuajse 1 miliardë $.

Cilat ishin problemet që sollën mungesën e suksesit të Surface RT? Ose, disa njerëz vrasin mendjen se cilat ishin shkaqet që sollën në dështimin e Surface RT?

Emër i ngatërruar së bashku me një sistem operativ të ngatërruar

Surface RT — dhe Windows RT në përgjithësi – vazhdojnë të mbeten produkte tepër konfuzuese për konsumatorin. Shumë njerëz ende nuk e dinë ndryshimin mes Surface RT dhe Surface Pro. Bëhet fjalë për dy sisteme (dhe sisteme operative) që ngjajnë njësoj dhe ekzekutojnë disa aplikacione, por në fakt nuk janë të njëjtat.

Ku janë aplikacionet?

Një nga problemet me të cilat është përballur Surface RT është mungesa e aplikacioneve. Me pak fjalë, nuk ka shumë aplikacione të ndërtuara posaçërisht për Surface RT në Windows Store. Gjithsej në Windows 8 Store janë të disponueshme 60 000 aplikacione – në krahasim me 400 000 që janë vetëm për iPad në App Store.

Në pjesën më të madhe të reklamave, Microsoft ka insistuar se arsyet pse Surface RT është më i mirë se iPad-i është mundësia për të punuar me suitën Office dhe shfaqja e disa aplikacioneve në të njëjtën kohë. Përveç faktit që së shpejti do të vijë në iPad Office 365, problemi me reklamat qëndron në faktin se nuk bëjnë gjë tjetër veçse theksojnë mungesën e aplikacioneve.

Ndërkohë, me Surface Pro është më ndryshe, pasi ka më tepër aplikacione të disponueshme për Windows 8. Nga ana tjetër, Surface RT nuk ka madje as Outlook-un.

Ekzistojnë alternativa më të mira

Problemi kryesor i Surface RT është se ekziston së bashku me Surface Pro. Ndërsa Surface RT nuk shihet as si një tablet i mirëfilltë e as si një laptop, Surface Pro nga ana tjetër mund të ekzekutojë edhe aplikacionet e Surface RT edhe ato të Windows 8. Për më tepër ka specifikime më të mira.

Në aspektin e konkurrencës, loja nuk përfundon këtu. Surface RT përballet me konkurrencë edhe nga prodhues të tjerë të tregut të Windows 8 si Asus, Samsung, Lenovo etj. (PCWorld Albanian)

microsoft

Lajmet e fundit>