Lajmet

Pse duhet të përdorni versionet e fundit të Office

May 28 2013
0 Shpërndarje
Pse duhet të përdorni versionet e fundit të Office

Në redaksinë e PCWorld vijnë shpesh pyetje të ndryshme nga lexuesit lidhur me teknologjinë apo programet në kompjuter.

Së fundmi, ata kanë pyetur se cili është rreziku i përdorimit të një versioni të vjetër të Microsoft Office, për shembull atë të vitit 2003? A është e domosdoshme të kalohet në versionin aktual?

Pjesa më e rëndësishme është siguria. Duke filluar nga prilli i vitit tjetër Microsoft-i nuk do të lançojë më përditësime sigurie për Office 2003 (dhe njëkohësisht, Windows XP). Kjo do të thotë se nëse dikush gjen një dobësi të sistemit, mund ta shfrytëzojë atë përgjithmonë duke qenë se nuk do të ketë më rregullime të sistemit. Pra, kopja juaj Office do të jetë e hapur ndaj sulmeve.

Sa e rrezikshme është realisht të përdorësh një version të vjetër dhe jo më të suportueshëm të një softueri? Nëse programin nuk e njeh njeri, ndoshta jo dhe aq e rrezikshme. Por, nëse bëhet fjalë për një program që përdoret nga miliona njerëz, atëherë ai mund të shndërrohet shumë lehtë në një pikësynimi për hakerët.

PCWorld ka pyetur gjithashtu edhe Veli-Jussi Kesti, drejtor sigurie në F-Secure, lidhur me rolin e antivirusit në këto raste. Pra, sa mund të na mbrojë një antivirus i përditësuar nëse kemi një Office që nuk suportohet më, me pak fjalë një version të pambrojtur të suitës? Ai u shpreh se “Antivirusët janë në gjendje të identifikojnë disa dobësi edhe për softuerët e vjetër, por jo të gjitha.”

Se sa i rrezikshëm mund të jetë kërcënimi, kjo varet nëse do ta targetonte një sulmues Office 2003. Faktikisht, pjesa më e madhe e sulmeve janë për Java-n e papërditësuar, flash players apo lexuesit e PDF-ve. Ato ju venë në rrezik edhe nëse keni antivirus të përditësuar.

Për momentin, Office nuk është një program që është targetuar shpesh, por kërcënimi qëndron, aq më tepër kur Microsoft-i të mos ofrojë më mbështetje. Nëse zgjidhni të mos kaloni në versionet e fundit të Office, të paktën tregohuni të kujdesshëm kur hapni skedarë që i keni shkarkuar në internet apo që jua kanë dërguar të tjerët. Për to, përdorni më mirë një suitë tjetër pa pagesë – për shembull, LibreOffice. (PCWorld Albanian)

office

Lajmet e fundit>