Lajmet

PTK dhe Monaco Telekom financojnë kompjuterizimin e disa shkollave

Apr 7 2010
0 Shpërndarje
PTK dhe Monaco Telekom financojnë kompjuterizimin e disa shkollave

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, dr. Shyqyri Haxha, së bashku me drejtorin gjeneral të Monaco Telekomit, z.Reda El Mejjad, drejtorin gjeneral të Cable & Wireless, Denis Martin dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës z. Hajredin Kuqin, kanë vizituar shkollën e parë fillore në Dobratin, komuna e Graçanicës, shkollë kjo e financiar nga USAID-i, të cilës do t’i dhurohen dhjetë kompjuterë nga Monaco Telecom International dhe qasje në internet falas nga PTK.

“PTK është një kompani lidere e telekomunikacionit në Kosovë, e cila  ka ecur shumë përpara gjatë këtyre viteve dhe e cila çdo ditë e më shumë po ofron shërbime të reja dhe shumë kualitative. Me qenë se telekomunikimi është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e shkollave dhe të bizneseve, qëllimi jonë është që ta ndihmojmë PTK-në në vazhdimin e ndërtimit të së ardhmes dhe të sjell mirëqenien e komuniteteve në tërë Kosovën”, ka thënë Denis Martin, drejtor gjeneral i Cable & Wireless. 

Partneri dhjetë vjeçar i PTK-së, Monaco Telecom International, iu është bashkuar programit social të PTK-së, me qëllimin e vetëm, sipas Reda El Mejjad, drejtorit gjeneral të Monaco Telecom-it, promovimin e edukimit dhe integrimin e pakicave në jetën bashkëkohore në Kosovë. 

Monaco Telecom në këtë projekt dhuron 100 kompjuterë për disa shkolla të Kosovës, ndërkohë që shkollës fillore të Dobratinit iu janë ndarë dhjetë kompjuterë. 

“Është nder i madh që sot po bëjmë promovimin e programit social, ku Monaco Telecom dhe Cable & Wireless japin një donacion 100 kompjuterë për shkollat e Kosovës, njëra prej tyre është edhe kjo shkollë e Dobratinit, ndërkohë që PTK ofron internetin pa pagesë”, është shprehur Dr. Shyqyri Haxha, Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së. 

Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, tregon në mënyrë praktike se dëshiron të investojë në të ardhmen dhe në edukimin e pakicave me një theks të veçantë në komunitetin serb.
“Filozofia e Qeverisë së Kosovës është si ta thjeshtësojmë jetën e të gjithëve në Kosovë, duke shikuar përpara. E ardhmja është në shkollim dhe në kooperim, andaj edhe me kënaqësi e mbëshetsim projektin e PTK-së për kompjuterizimin e shkollave nëpër Kosovë”, ka thënë Hajredin Kuqi, zëvendëskryeministër i Kosovës. 

PTK dhe Monaco Telecom Internacional do të vazhdojë me dhurimin e donacionit për kompjuterë dhe qasje në internet edhe nëpër disa shkolla të tjera anë e mbanë vendit.
 

Lajmet e fundit>