Lajmet

PTK ndihmon kampionët

Jun 4 2010
0 Shpërndarje
PTK ndihmon kampionët

Shumë mirënjohje, rezultate të treguara, sukseset e arritura, kupat e fituara dhe titujt kampion bote të sportistëve kosovarë të financuar nga PTK, kanë dëshmuar se PTK aktualisht mbetet promotori më i fuqishëm i sportit në Kosovë.
 
Pjesëmarrja në kampionatin botëror të xhudos së Majlinda Kelmendit dhe shpallja e saj kampion bote, i është mundësuar falë përkrahjes financiare nga Posta dhe Telekomi i Kosovës.

Falë ndihmës së PTK-së, me titullin kampionë janë stolisur edhe klubi futbollistik “Trepça” nga Mitrovica, ndërkohë që kikbokseri kosovar Xhavit Bajrami javë më parë mbrojti për të katërtën herë titullin e kampionit në “K-1”.
 
Gjatë dy viteve të fundit të menaxhmentit aktual të PTK-së, janë përkrahur nga ana e kompanisë në formë të donacioneve dhe sponzorizimeve, sportistë, ekipe dhe aktivitete të shumta sportive. Në shumicën e klubeve dhe federatave sportive, këto të fundit kanë korrur suksese, si Federata e Boksit të Kosovës , Klubi i Karatesë “Fan”, Klubi i shahut “Shqiponja”, Federata e Notit, Klubi Hendbollistik “Besa Famiglia”, Federata e Xhudos së Kosovës, Klubi i Pingpongut “Llapi, Klubi i basketbollit “Skënderaj”, etj.
 
Të gjitha klubet sportive të përkrahura financiarisht nga PTK-ja kanë pranuar faktin se pa mbështetjen e kompanisë nuk do të mund të arrinin sukses dhe gjithashtu kanë potencuar se që nga ardhja e Kryeshefit Ekzekutiv dr. Shyqyri Haxha, në krye të PTK-së, janë dëshmitarë të një progresi dhe nxitjeje shtesë të aktiviteteve sportive në Kosovë dhe jashtë saj.
 
“Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa t’ia ofrosh një donacion financiar një sportisti të dalluar, si Majlinda Kelmendi apo Xhavit Bajrami që sot janë kampion bote për kategoritë e tyre apo ta ndihmosh një klub futbollistik si “Trepça” që u shpall kampion pas 28 vitesh dhe na dhuroj spektakël”, është shprehur Dr.Shyqyri Haxha, Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së duke shtuar se sponsorizimet e karakterit sportiv kanë qenë një shtytje më shumë për të arritur rezultate kulminante për të gjithë sportistët.

PTK do të vazhdojë të ndihmojë kurdo dhe kudo që ka mundësi financiare, natyrisht duke pasur në konsideratë autorizimet ligjore dhe mundësitë financiare.

Lajmet e fundit>