Lajmet

PTK ofron ndihmë për familjet e përmbytura në Shqipëri

Jan 11 2010
0 Shpërndarje
PTK ofron ndihmë për familjet e përmbytura në Shqipëri

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, dr. Shyqyri Haxha deklaroi se PTK-ja i është bashkëngjitur ndihmës së Qeverisë së Kosovës për banorët që kanë pësuar nga vala e rëndë e përmbytjeve në Shqipëri.

“Meqë kemi të bëjmë me një problem emergjent, të cilit po përpiqen t’i përgjigjen subjekte të shumta vendore dhe ndërkombëtare, edhe  PTK-ja e ka ndier të nevojshme që në saje të angazhimit të vet të jetë e pranishme në përpjekjen për t’i ndihmuar njerëzit e këtyre trevave për përballimin e kësaj gjendje. Tani për tani, ndihma jonë për zonat e vërshuara në Shqipëri, kap shumën prej 10 mijë eurosh, të cilat do të jenë ndihmë e menjëhershme që do t’u dërgohen banorëve më të prekur të këtyre zonave”, u shpreh Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, dr. Shyqyri Haxha.

Sipas tij, përveç kësaj ndihme materiale, PTK, ka paraparë edhe një formë tjetër shtesë për të mbledhur ndihma duke ua mundësuar  të gjithë konsumatorëve të VALA-së dhe Telekomit që ta bëjnë këtë me anë të thirrjeve apo dërgimit të sms-ve.

“Ne do të lansojmë që nga sot shërbimin për ndihmë shtesë gjithë familjeve të përmbytura në Shqipëri që do të jetë: Ndihmo familjet e përmbytyra në Shqipëri nga vërshimet duke thirrur në 0900900 apo duke dërguar SMS ne 8090. Thirrja dhe SMS kushton 50Cent”, theksoi dr. Haxha

Të gjithë konsumatorët e VALA-s dhe Telekomit mund t’i qasen këtij shërbimi për ndihmë duke realizuar thirrje apo dërguar SMS dhe do të zgjat një muaj duke filluar nga dita e sotme.

PTK njofton se tërë shuma e mjeteve të tubuara do të jetë një ndihmë e qindpërqindtë (100%) për banorët e zonave të përmbytura në Shqipëri. Pas një muaji PTK do të bëjë publikimin e mjeteve të mbledhura nga kjo nismë e saj dhe menjëherë do t’u dërgohen banorëve të dëmtuar. 

Lajmet e fundit>