Lajmet

PTK ofron SIM kartela gratis për qytetarët serb

Apr 24 2010
0 Shpërndarje
PTK ofron SIM kartela gratis për qytetarët serb

Kryeshefi Ekzekutiv i Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Dr. Shyqyri Haxha, në bazë të kompetencave që ka dhe në mbështetje të plotë të menaxhmentit të PTK-së, ka marrë vendim që të dalë me produkt të ri për banorët serb të enklavave, gjegjësisht për vendbanimet: Brezovicë, Graçanicë dhe Shtërpce.

“SIM kartelat e Valas, do t’u ipen pa pagesë konsumatorëve tanë që jetojnë nëpër këto enklava, natyrisht gjithmonë duke u respektuar të gjitha procedurat e shitjes – një konsumator, një kartelë –  me dokument të identifikimit”, ka deklaruar Dr. Shyqyri Haxha në prononcimin e tij para mediave.

Jo vetëm ky produkt që tashmë është në dispozicion të konsumatorëve të Valas nëpër enklava, por PTK është duke bërë përpjekje që të ulë tarifat e thirrjeve, nga operatori Vala në drejtim të operatorëve serb, në mënyrë që t’u lehtësohet komunikimi dhe që qytetari serb i Republikës së Kosovës të mos ndihet i izoluar.

“Jemi në bashkëpunim edhe me Monaco Telecom-in, që tarifa e thirrjes të ulet në atë shkallë, sa që mund të konsiderohet pothuajse falas, dhe kjo për një periudhë të pacaktuar, deri sa të kalohet nga kjo gjendje” ka pohuar Dr. Haxha.

Ndërkohë në terren, respektivisht në disa pika shitëse të PTK-së nëpër enklavat serbe, vërehet interesimi i qytetarëve për  t’u  pajisur me SIM kartela të Valas.

Vetëm në pikën shitëse të PTK-së në Graçanicë, të shtunën janë dhënë mbi 100 kartela brenda një ore, gjë që e vërteton interesimin e banorëve për të pasur qasje në komunikim.

Lajmet e fundit>