Lajmet

PTK pa kod kushton më lirë

Apr 20 2011
0 Shpërndarje
PTK pa kod kushton më lirë

Bartësja e projektit qeveritar për privatizimin e kësaj korporate Ministria e Zhvillimit nuk ka dashur të komentojë rreth nxjerrjes në treg të PTK-së pa kod shtetëror të telefonisë. Përgjegjësit për media të kësaj ministrie janë arsyetuar se për shkak se ministri i tyre është shumë i zënë duke u marrë me kërkesat e javës së kaluar për të dhënë intervista nuk mund të përgjigjet deri të hënën në kërkesat e medieve të kësaj jave, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Përgjigje mund të kthehen tek në javën e ardhshme”, ka thënë biznesmeni Gëzim Baxhaku për gaztën Koha Ditore, i cili është i angazhuar si këshilltar i ministrit Besim Beqaj.

Korporata e Postë-Telekomit për shkak se Kosova nuk është anëtare e Organizatës ndërkombëtare të telekomit për të pasur kod të vetin ka shpenzuar dhjetëra miliona euro deri më tash duke shfrytëzuar kodin telefonik të “Monaco Telecomit”, për thirrjet që realizohen nga jashtë drejt operatorit “Vala” dhe anasjelltas. Çështja e mungesës së kodit nuk ishte parë si problem as nga qeverisja e kaluar në kohën kur Ministrinë e Ekonomisë e të Financave e drejtonte ish-ministri Ahmet Shala.

“Në kushtet e tanishme kontrata e PTK-së me Monakon do të duhej t’i bartej investitorit të ri. Por, varet edhe nga kompania që e privatizon operatorin e telefonisë mobile se çfarë do të bëjë me të”, pati deklaruar ish-ministri Shala, para se të niste procesi i privatizimit të ndërmarrjes publike të Postë-Telekomit.

Ndërkaq, Sindikata e Punëtorëve të Postë-Telekomit para disa muajsh i pati kërkuar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që të ndërpritet procesi i privatizimit të Postë-Telekomit për shkak se mungesa e tij ndikon në rënien e çmimit të PTK-së në treg. Sipas parashikimeve të sindikalistëve, shitja e kësaj ndërmarrjeje do të ndikonte që çmimi i kësaj korporate të jetë më i ulët në treg për një shumë prej 80 milionë eurosh.

Qeveria e Kosovës ka parashikuar  mbledhjen e një shumë mes 300 dhe 600 milionë euro nga privatizimi i 75 për qind të aksioneve të aseteve të njësisë VALA dhe Telekomit, të PTK-së. Vendimi për shitjen e kësaj ndërmarrje është miratuar në kuvendin e Kosovës në një pako me ligjin për buxhet të vitit 2011.

Lajmet e fundit>