Lajmet

PTK promovoi pullën postare për nder të 100 Vjetorit të Pavarësisë

Nov 27 2012
0 Shpërndarje
PTK promovoi pullën postare për nder të 100 Vjetorit të Pavarësisë

Me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Posta e Kosovës promovoi emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare që i referohet kësaj ngjarje jubilare.

Për nder të këtij jubileu Posta e Kosovës ka emetuar pullën postare e cila mban portretet e veprimtarëve të shquar kosovarë Isa Boletini, Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët dhanë kontribut historik në luftë për çlirimin e trojeve shqiptare.

Ndërkaq sot në paqe përmes pullës postare bartet mesazhi për historinë e ndritur të popullit shqiptar.

Në fjalën e rastit, Shefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha theksoi se atdhedashuria, dëshira për jetesë në liri, paqe, mirëqenie sociale dhe shpirtërore i bashkoi të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin, në luftën e shenjtë për liri dhe pavarësi të Shqipërisë . “Shumë trima nga të gjitha trojet shqiptare, flijuan jetën dhe u ngritën në piedestalin e lirisë, kësaj radhe është e pamundur të përmenden të gjithë. Do ti përmend disa nga figurat eminente që personifikojnë tërë krahun e pendës dhe luftës, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi dhe shumë të tjerë”.

Posta e Kosovës feston 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë si shtet i pavarur dhe sovran, duke promovuar këtë emision të pullave postare.

Pas fjalës së rastit, Hoxha shpërndau pllakata me pamje të pullës postare mysafirëve special të familjeve të dëshmoreve dhe të ftuarve nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Pulla Postare nga ky emision do të jetë në dispozicion të konsumatorëve të Postes se Kosovës nga dita e sotme 27.11.2012. (PCWorld Albanian)

   

Tags >

ptk
Lajmet e fundit>