Lajmet

PTK letër të hapur institucioneve vendore e ndërkombëtare

Nov 26 2009
0 Shpërndarje
PTK letër të hapur institucioneve vendore e ndërkombëtare

Ka më shumë se një muaj prej se kjo gazetë ka filluar një fushatë me shkrime tendencioze për qëllime krejtësisht të liga dhe personale  kundër punës së menaxhmentit të PTK, dhe çuditërisht kjo po ndodh në kohën kur në redaksinë e kësaj gazete kanë marrë poste udhëheqëse disa persona të ish-menaxhmentit të PTK sh.a.

Ardhja në krye të kësaj gazete e personave nga ish menaxhmenti i PTK dhe qasja e tyre negative ndaj kompanisë më të madhe në vend, na ka shqetësuar shumë dhe ky shqetësim  është dëshmuar dhe po dëshmohet nga dita në ditë me shkrimet tendencioze të kësaj gazete tash e një muaj.

PTK sh.a është e hapur për gjithçka në aspektin ligjor dhe profesional, mirëpo konsideron se shkrimet e tilla po bëhen me qëllim të prishjes së biznesit dhe humbjes së imazhit të PTK në kohën kur janë duke u zhvilluar procese shumë të rëndësishme për korporatën tonë.

Këto shkrime nuk janë të rastësishme, por janë të qëllimshme dhe me një prapavijë shumë serioze.

Në të njëjtën kohë, shkrimet e gazetës në fjalë, nuk kanë të ndalur, andaj nuk mund të injorohen. Ne kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare dhe organet përgjegjëse që kjo gazetë të monitorohet së afërmi dhe me kujdes, sepse dëmi do të mund jetë shumë i madh në përcaktimin e vlerës së kompanisë.

Pa marrë parasysh kush qëndron pas këtyre shkrimeve, ne jemi të detyruar që të mbrojmë interesin e kompanisë dhe të mos lëshojmë pe para shkrimeve tendencioze dhe qëllimkeqe nga kjo gazetë.

Kjo çështje do të ngritët me njerëzit më me influencë nga bashkësia ndërkombëtare si dhe organet kompetente që të shikojnë prejardhjen dhe backgroundin e menaxhmentit të kësaj gazete, qëllimin e tyre si dhe bashkëpunëtorët.

Ne jemi të hapur për çdo kritikë dhe i mirëpresim ato kur janë të vërteta dhe ftojmë të gjithë gazetarët që të shërbehen me të vërteta nga Departamenti për Komunikim në PTK. 

PTK kërkon nga organet kompetente  te Republikës se Kosovës dhe ato me mision  ndërkombëtar si  EULEX, ICO, ambasadat e akredituara në vend që ta na ndihmojë  dhe parandalojnë  shkrimet jo-profesionale dhe jo ligjore me qellim te shkatërrimit te aseteve publike te shtetit te Kosovës nga menaxhmenti i kësaj gazete .

Gjithashtu si PTK kemi marrë informacione se kjo gazetë edhe në të ardhmen do të vazhdoj me sulmet ndaj PTK sh.a me shkrime të njëjta sikurse i ka bërë deri më sot, andaj kërkojmë nga të lartpërmendurit që të merret me shumë seriozitet kjo letër.

(Artikulli që po lexoni është letra e hapur e PTK sh.a. dërguar institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Kjo letër nuk paraqet opinion e PC World Albanian rreth Zëri-të apo PTK-së).

Lajmet e fundit>