Biznes

PTK ndanë 58 bursa për studentët e Universitetit të Prishtinës

Dec 4 2009
0 Shpërndarje
PTK ndanë 58 bursa për studentët e Universitetit të Prishtinës

Rektori i Universitetit të Prishtinës bëri të ditur se ky projekt i përbashkët ndërmjet PTK-së dhe Rektoratit të UP-së ka për synim bashkëpunimin institucional me qëllim të ndihmës dhe forcimit të kuadrove të reja studentore. Ai tha se prej 58 bursave që ndanë PTK, 8 nga to janë me vlerë nga 1200 euro do të ndahen për studentët e shkencave natyrore, fizikë, matematikë, elektronikë dhe shkenca teknike, ndërsa 50 bursa tjera do të ndahen për studentët në lëmitë tjera dhe për studentët që kanë të bëjnë me drejtimet e postë–telekomit

“Marrëveshjen që sapo e nënshkruam me dr.Haxhën, është një ngjarje e madhe, për faktin se PTK do të mbuloj koston financiare për ndarjen e bursave për 58 studentë të Universitetit të Prishtinës”, deklaroi rektori i UP-së, dr.Mujë Rugova. 

Sipas tij, PTK-ja tashmë është e njohur si kompani, e cila ka ndihmuar në sfera të ndryshme të jetës kulturore, arsimore dhe sportive në Kosovë. “Me përkrahjen direkte të Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, sot kam një lajm të mirë për të gjithë ata studentë që kanë mesatare të lartë në studime se do të mund të fitojnë bursa nga Posta dhe Telekomi”, nënvizoi rektori I UP-së.

Nga ana tjeër, Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së pranoi se ndihet i lumtur që në emër të PTK-së të ndajë këtë donacion për financimin e 58 bursave për studentët e Universitetit të Prishtinës.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa t’ia ofrosh një bursë një studenti të shkëlqyeshëm dhe me gjendje të rëndë sociale. Ky ka qenë dhe do të jetë edhe pikësynimi ynë edhe me rastin e përzgjedhjes së përfituesve të këtyre bursave”, theksoi dr. Haxha duke shtuar se aplikacionet do të bëhen në PTK, ku në bashkëpunim me UP-në, do të formohet një komision i veçantë për përzgjedhjen e studentëve që do ta gëzojnë bursën.

Ai ka njoftuar gjithashtu se vlera e këtij projekti arrin shumën prej 50 mijë eurove dhe se përveç kriterit të suksesit të treguar do të parashihen edhe kushtet sociale të studentëve.

PTK ka njoftuar se do të vazhdojë të ndihmojë kurdo dhe kudo që ka mundësi financiare, por natyrisht duke pasur në konsideratë autorizimet ligjore dhe mundësitë financiare.

Lajmet e fundit>