Lajmet

PTK shembull i integrimit të komuniteteve

Mar 18 2010
0 Shpërndarje
PTK shembull i integrimit të komuniteteve

“Në interesin tonë është që PTK të jetë prezente kudo në mesin e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, ndërsa është primare për kompaninë tonë që të ketë pika të reja të shitjes aty ku jeton edhe komuniteti serb”, theksoi dr. Shyqyri Haxha.

Ai ka thënë gjithashtu se pikësynim i PTK-së është që të ofrojë komunikimin midis njerëzve kudo që gjinden ata dhe në të njëjtën kohë ka bërë të ditur se deri më tash PTK ka punësuar mbi 70 punëtorë të komunitetit serb. “Jam i interesuar që komunitetet pakicë në Kosovë të përfitojnë nga shërbimet e PTK-së që i ofrohen, sepse janë më të mira dhe më kualitative”, deklaroi Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së për të nënvizuar se PTK do të sigurojë në gjitha shkollat e kësaj komune internetin wireless (WIFI) pa pagesë si dhe donacione financiare për përkrahje të aktiviteteve kulturore dhe sportive.

Nga ana e tij, kryetari i Graçanicës është zotuar për përkrahje si dhe sigurimin e të gjitha lejeve dhe autorizimeve përkatëse për implementimin e projekteve të PTK-së në këtë komunë. “Kjo për faktin se PTK është dëshmuar deri më tash si shembull më i mirë i integrimit të komuniteteve”, u shpreh Bojan Stojanoviç duke pranuar se për funksionalizimin e komunës së re duhet përkrahje nga të gjitha institucionet dhe kompanitë.

Numri një i Graçanicës shtoi me këtë rast se shërbimet e PTK-së janë më të lira në treg dhe se komuniteti serb është i kënaqur. “Ka interesim të theksuar për shërbimet e PTK-së, sepse janë tejet atraktive, prandaj ne jemi të interesuar që ta intensifikojmë këtë bashkëpunim sidomos pas përpilimit të planit zhvillimor të Graçanicës, që pritet të bëhet shumë shpejt”,  deklaroi Bojan Stojanoviç.

Edhe drejtori i Departamentit për Integrimin e Minoriteteve në PTK ka vlerësuar kontributin e madh të PTK-së në ndihmën, punësimin dhe integrimin e komuniteteve në vend. “Padyshim se PTK është model për kompanitë tjera, sepse ka bërë dhe bën aq shumë për integrimin e të gjitha pakicave dhe ky shembull i PTK-së është potencuar edhe në raportet e progresit të BE-së”, tha Slobodan Petroviq.

PTK do të vazhdojë të ndihmojë kurdo dhe kudo që ka mundësi financiare, natyrisht duke pasur në konsideratë autorizimet ligjore dhe mundësitë financiare.

Lajmet e fundit>