Biznes

PTK shënon rritje në të hyra

Aug 11 2010
0 Shpërndarje
PTK shënon rritje në të hyra

Zyrtarë të Post-Telekomit të Kosovës, përmes një komunikate për media treguan se kanë përmbushur në tërësi parashikimin e objektivave financiare në një anë, por në anën tjetër kanë lansuar edhe produkte shumë atraktive dhe të pranueshme për konsumatorët, pavarësisht konkurrencës së fortë në treg.

“Sipas gjendjes të datës 30 qershor të vitit 2010, të hyrat e përgjithshme të biznesit janë mbi 70 milionë euro, që paraqet një rritje mbi 6 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009”, thuhet në komunikatë.

Rritja e të hyrave operative në këtë periudhë rrjedh kryesisht nga niveli i të hyrave operative nga telefonia mobile që paraqet mbi 80 për qind të të hyrave të përgjithshme të biznesit. Të hyrat e realizuara nga telefonia mobile për këtë periudhë janë shtuar për rreth 8 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që shkoi.

“Në rritjen e të hyrave në masë të madhe ka ndikuar, sidomos, rritja e numrit të konsumatorëve, shfrytëzimi më i madh i roamingut dhe lansimi i produkteve atraktive”.

Paralelisht me rritjen e numrit të konsumatorëve me parapagim, është evidentuar edhe një rritje e ndjeshme e numrit të përdoruesve të VALA me kontratë.

PTK ka njoftuar edhe se në fund të gjysmës së parë të këtij viti, numri i i përgjithshëm i shfrytëzuesve të telefonisë mobile është mbi 1.2 milionë, gjegjësisht mbi 270 mijë konsumatorë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Lajmet e fundit>