Lajmet

Qendra e Kompetencës dhe Inovacionit në UBT, e para e këtij lloji në Kosovë

Feb 1 2018
0 Shpërndarje
Qendra e Kompetencës dhe Inovacionit në UBT, e para e këtij lloji në Kosovë

Projekte të shumta po hartohen e zhvillohen në Qendrën e Kompetencës dhe Inovacionit për Siguri Kibernetike dhe Privatësi (SKP), që kanë të bëjnë me zhvillimin e sistemit të avancuar të sigurisë dhe të teknologjisë.

Kjo qendër është e themeluar nga UBT dhe është e para e këtij lloji në Kosovë. Ajo zhvillon politika, strategji dhe përdor teknologji për identifikimin e shkelësve të sigurisë dhe të privatësisë.

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi ka bërë të ditur se Qendra e Kompetencës dhe Inovacionit për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në UBT, përkrahet edhe nga partnerët ndërkombëtarë, siç janë: Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Academic Exchange for Progress (AEP) që përfaqëson një bashkëpunim të shteteve të Norvegjisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, kompania “Quality Austria” që ofron trajnime, certifikime dhe vlerësime në këtë fushë, “Abanian ICT Awards” garë mbarëkombëtare që shpërblen talente në fushën e Teknologjisë Informative dhe Komunikuese (TIK) etj.

Tutje, rektori Hajrizi tha se do të punohet në zgjerimin e bashkëpunimit me organizata nga shtetet e tjera në Evropë e më gjerë, më të cilët do të bashkëpunohet në sjelljen e trendëve të reja të zhvillimit shkencor në kuadër të fushës së sigurisë e privatësisë.

Sipas tij, UBT përmes këtyre qendrave po jep kontribut mjaft të rëndësishëm në këto fusha nga të cilat preket Kosova dhe në përgjithësi e gjitha bota.

Teksa, sipas koordinatorit të aktiviteteve të qendrës, Atdhe Buja, qendra përfshin angazhimin për zhvillimin e programeve dhe projekteve në: Edukim – angazhim akademik dhe trajnime, Kërkim dhe Zhvillim, Ofrimin e strategjive, Politikave dhe teknologjive, Kampanja të ndryshme në fushën e sigurisë, Programe të bashkëpunimit në koordinimin e reagimit në incidente të sigurisë kibernetike, Projekte në identifikimin dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike të informacionit etj.

UBT ka shkollën më të madhe të Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë në Ballkanin Perëndimor. Programi është destinacion i stafit më të kërkuar vendor dhe ndërkombëtar dhe burim i inovacioneve kombëtare në Shkenca Kompjuterike. Krahas studimit, studentët do të certifikohen nga CISCO, Microsoft, CompTIA, ICDL, IPMA dhe Pearson VUE.

 

Lajmet e fundit>