Analiza

Qytetarët e Shqipërisë shpenzuan 50 miliard lekë në komunikim gjatë vitit 2009

Mar 15 2010
0 Shpërndarje
Qytetarët e Shqipërisë shpenzuan 50 miliard lekë në komunikim gjatë vitit 2009

AKEP gjithashtu ka raportuar se gjatë këtyre dy viteve të fundit, ka pasur një rritje të konsiderueshme edhe të abonentëve të kompanive të telefonisë mobile. Pavarësisht se AKEP raportoi se kjo shifër është tre përqind më e ulët se ajo e vitit të kaluar, numri i abonentëve ka pësuar një rritje mjaft të lartë me rreth 1.2 milionë përdorues vetëm gjatë vitit 2009. Numri i abonentëve që janë të regjistruar në të tre kompanitë mobile në Shqipëri ka arritur në 4.1 milionë përdorues.

Rritja e përdoruesve të telefonisë mobile ka nisur qysh prej vitit 2000, kur numëronte 29 mijë abonentë, ndërsa një vit më vonë numri arrin në 352 mijë.

Në vitin 2007 ky numër arrin në 2.3 milionë, ndërsa rritjen më të lartë të abonentëve telefonia mobile do ta njihte në vitin 2009 me plot 4.16 milionë përdorues.

Sipas të dhënave që pasqyrohen në raportin vjetor të AKEP-it, pjesa dërrmuese e abonentëve të telefonisë mobile, rreth 94 për qind e tyre janë përdorues të paketave tarifore me parapagim, ndërkohë vetëm 6 për qind janë përdorues të numrave me kontratë.

Për shkak të ofertave të ndryshme që kanë bërë kompanitë gjatë vitit të shkuar, vërehet një rritje e ndjeshme e thirrjeve brenda rrjetit.

Por sipas AKEP, prezantimi i ofertave të ndryshme nga kompanitë operuese në Shqipëri, ka pasur një rritje të ndjeshme të thirrjeve brenda rrjetit. Nëse gjatë vitit 2008 mesatarisht çdo abonent ka konsumuar në muaj rreth 30 minuta bisedë, gjatë 2009 kjo shifër është dyfishuar

Autoriteti të Komunikimeve Elektronike dhe Postare theksoi se Shqipëria ka nivele penetrimi të telefonisë mobile më të larta, në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian. Sipas tyre gjatë vitit 2009 numri i përdoruesve për 100 banorë arriti në 129 për qind krahasuar me mesataren prej 119 për qind të vendeve të Bashkimit Europian.

Ky tregues pasqyron faktin se një përdorues mund të jetë njëkohësisht abonent i dy apo të tre kompanive që operojnë sot në tregun shqiptar. “Numri i përdoruesve celularë i referohet kartelave SIM ndërkohë që normat e larta të përdoruesve për 100 banorë shpjegohen nga mbajtja prej një individi e më shumë se një karte të tillë”, – shpjegon AKEP.

Rritjen e numrit të përdoruesve të telefonisë mobile si dhe të minutave të bisedës për çdo abonent AKEP e lidh me hapjen e tregut dhe rritjen e konkurrencës midis kompanive.

Ndërkaq, ndryshe nga ajo mobile, telefonia e fiske ka një shtrirje shumë më të ulët. Gjatë vitit 2009 numri i abonentëve fiks arriti në 363 mijë duke pësuar një rritje me rreth 40 mijë krahasuar me një vit me parë.

Në Shqipëri ofrojnë shërbimin e telefonisë fiks rreth 74 operatorë, ndërsa 18 të tjerë ofrojnë shërbimin e thirrjeve me kartelë të parapaguar.

Edhe pse ka një numër të madh operatorësh të telefonisë fikse, sipërfaqja që mbulohet me shërbim nuk e kalon as 12 për qindëshin. 

Lajmet e fundit>