Lajmet

Raportohet se Microsoft ka filluar punën mbi pasardhësin e Windows 8

Dec 1 2012
0 Shpërndarje
Raportohet se Microsoft ka filluar punën mbi pasardhësin e Windows 8

Windows 8 u lançua zyrtarisht më 26 tetor të këtij viti, që sipas procedurave standarte në Microsoft-it, do të duhen të paktën disa vite para se të vijë Windows-i i rradhës. Por kompania me bazë në Redmond mund t’i ndryshojë “rregullat e lojës” kësaj here.

Code Blue

Fjalët e para mbi versionin e ardhshëm të Windows, i njohur me emrin Windows Blue, u përhapën për herë të parë në gusht të këtij viti.

Tani, The Verge raporton se disa burime anonime kanë konfirmuar ekzistencën e Windows Blue dhe se softueri i gjeneratës tjetër (sipas fjalëve do të lançohet në mes të 2013-s) përfaqëson një strategji të re nga Microsoft.

Në vend që të presin disa vite para se të lançojnë sistemin e ri operativ, ashtu siç kanë vepruar në të kaluarën, shefi ekzekutiv Steve Ballmer dhe skuadra e tij janë përqëndruar “kokë e këmbë” në inovacionet vjetore për të sjellë ridizajne të ndërfaqes së përdoruesit, karakteristika të reja si dhe një upgrade me çmim të ulët. Mesa duket, edhe Microsoft po adapton strategjitë e Apple dhe Google, të cilat lançojnë përditësime të shpeshta në mënyrë të rregullt.

Blue: Windows 9 apo Windows 8.1?

Windows Blue do të standartizonte karakteristikat mes Windows dhe Windows Phone duke sjellë kështu një bashkëveprim më të mirë cross-platform. Disa burime kanë treguar për The Verge se Microsoft po planifikon të inkurajojë zhvilluesit për të krijuar aplikacione për Windows Blue në vend që të zhvillojnë vetëm për Windows 8.

Por, siç raportohet nga ZDNet prej disa muajsh, mbetet ende e paqartë nëse Windows Blue do të sjellë një upgrade të rëndësishëm nga Windows 8 apo do të jetë thjesht një përditësim i vogël në aspektin e një sistemi operativ, pra, me pak fjalë si një service pack.

Windows Blue mund të jetë Windows 8.1 ose Windows 9. Sigurisht që Microsoft-i nuk prononcohet lidhur me këtë. Gjithsesi, logjikisht është pothuajse e pamundur që versioni i ri i Windows-it të ketë ndryshime dramatike. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>