Blog

Rikthehen paketat 30 ditore të komunikimit celular

Apr 16 2018
0 Shpërndarje
Albtelecom, i cili është operatori më i vogël në treg, njoftoi ndryshimin në faqen e vet në internet. Dy operatorët e tjerë, Telekom Albania dhe Vodafone, vijojnë të mbajnë paketat katërjavore. Rikthehen paketat 30 ditore të komunikimit celular

Brenda një periudhe tetëditore mes 15 marsit dhe 21 marsit 2016, tre operatorët e tregut të telefonisë celulare ulën kohëzgjatjen e paketave të komunikimit me parapagesë nga 30 në 28 ditë, një lëvizje që u hetua pa sukses si marrëveshje e fshehtë dhe sjellje e koordinuar nga Autoriteti i Konkurrencës. Por së fundmi, një nga tre operatorët e tregut njoftoi papritur se paketat e saj do të kenë sërish afat 30 ditor, një nga lëvizjet e pakta konkurruese në një prej tregjeve më të hetuara për sjellje oligopoliste në Shqipëri.

Albtelecom, i cili është operatori më i vogël në treg, njoftoi ndryshimin në faqen e vet në internet. Dy operatorët e tjerë, Telekom Albania dhe Vodafone, vijojnë të mbajnë paketat katërjavore.

Të tre kompanitë kryen ndryshimin e madh në mars 2016. Duke e ndarë vitin me periudha katërjavore dhe jo mujore, kompanitë faturuan 13 paketa vjetore nga 12 muaj që ka viti.

Autoriteti i Konkurrencës hetoi ngjarjen gjatë vitit 2016 duke kryer inspektime dhe duke vlerësuar situatën, por në fund e mbylli hetimin pa gjetur shkelje të ligjit të konkurrencës.

“Ky ndryshim i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim”, thuhej në vendimin e Autoritetit.

Megjithatë, inspektimet e Autoritetit pranë operatorëve me synimin e gjetjes së provave për një bashkërendim formal për shkurtimin e kohëzgjatjes së paketave nuk prodhoi prova se mes kompanive kishte një komunikim ndërsa mënyra tjetër e hetimit, faktet ekonomike, nuk e bindën Komisionin e Konkurrencës se ulja e menjëhershme përbënte provë për shkelje të ligjit të konkurrencës.

Sipas AK, ” Sjellja e mësipërme, mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në kuadër të informacionit të plotë ndaj konkurrentëve të tjerë dhe efekteve të tyre në njësi dhe tarifa”.

Vitin e kaluar, të tre operatorët celularë ndryshuan tarifat e tyre brenda një periudhe dyjavore, duke ofruar në thelb paketa thuajse të njëjta me njëra-tjetrën. Kompanitë në atë rast ulën sasinë e internetit për paketat bazë katërmujore, gjë që sillte automatikisht nevojën për të blerë paketa shtesë interneti nga përdoruesit. Edhe për këtë ngjarje, Autoriteti i Konkurrencës deklaroi se nuk dispononte prova për të konkluduar se kishte sjellje të koordinuar në treg mes operatorëve. Gjithsesi, rritja e tarifave vitin e kaluar zgjati vetëm disa muaj. Rreth shtatorit 2017, kompanitë celulare dolën me paketa të reja dhe me çmime të ndryshme.

Shpikja e periudhave katërjavore të tarifimit nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Tarifimi katërjavor u shfaq në vitet 2015 dhe 2016 edhe në tregun e telekomunikacionit në Itali, por atje, Autoriteti i Konkurrencës  urdhëroi kompanitë celulare të ndërpresin tarifimin katërjavor. /Reporter

Lajmet e fundit>