Lajmet

Rikthehet butoni Start në Windows 8.1

May 31 2013
0 Shpërndarje
Rikthehet butoni Start në Windows 8.1

Me prezantimin e Windows 8, Microsoft-i hoqi nga ekrani një nga elementët më familjarë të ndërfaqes së Windows-it: butonin Start.

Falë kërkesave të përdoruesve për ta rikthyer sërish butonin, kompania ka vendosur ta përfshijë atë në përditësimin që do të vijë së shpejti. Në aspektin e dizajnit dhe filozofisë, ky ndryshim është i madh, edhe pse nuk mund të thuhet e njëjta gjë për aspektin e funksionalitetit.

Në desktop do të shfaqet ikona e Windows-it, ashtu siç e gjeni në versionet e kaluara në cepin e majtë poshtë të ekranit. Klikimi i butonit do ta çojë përdoruesin në ndërfaqen moderne. Në versionin aktual të Windows 8, përdoruesit nuk e shohin ikonën Start derisa navigojnë me kursorin e mouse-it të tyre drejt cepit të ekranit.

Përveç rikthimit të butonit Start, Microsoft-i do të ndryshojë dhe dizajnin e tij. Në Windows 8, ikona që shfaqet në cep është analoge me ekranin Start, ndërsa në Windows 8.1, do të shohim të njëjtën logo të Windows-it që gjendet në menunë Charms, në tastierë apo në vende të tjera.

Edhe pse lista e programeve apo aplikacioneve që shfaqeshin në Windows 7 në momentin që përdoruesit klikonin butonin Start nuk do të shfaqet më, në Windows 8.1 do të ketë opsione të tjera që u mundësojnë përdoruesve të shohin ekranin me të gjitha aplikacionet.

Në të listohen të gjitha aplikacionet që janë instaluar në PC, të renditur në mënyra nga më të ndryshmet. Ndryshimi për rikthimin e butonit Start vjen si rezultat i komenteve të përdoruesve falë lidhjes që gjendet me Windows 8 në cloud-in e Microsoft-it. (PCWorld Albanian)

windows 8

Tags >

Windows 8
Lajmet e fundit>