Lajmet

Rikthehet loja Flappy Bird për pajisjet e Amazon

Aug 7 2014
0 Shpërndarje
Rikthehet loja Flappy Bird për pajisjet e Amazon

1407154321470_wps_2_Flappy_Bird_family_pngLoja Flappy Bird është rikthyer sërish dhe tani njihet me emrin Flappy Birds Family. Fatkeqësisht, loja nuk do të mund të luhet në pajisjet iOS dhe Android, pasi është realizuar vetëm për pajisjet Amazon Fire TV. U bë gati një vit që nga krijimi i lojës Flappy Bird nga një zhvillues jo shumë i njohur. Nuk u desh shumë kohë që kjo lojë të njihej në të gjithë botën dhe të tërhiqte vëmendjen e shumë përdoruesve të internetit, duke u bërë edhe vartës të kësaj loje.

Pasi tërhoqi vëmendjen e mediave globale dhe arriti të fitojë nga 50 mijë dollarë të ardhura çdo ditë, zhvilluesi i saj, Nguyen, vendosi që ta tërheqë këtë lojë nga dyqanet e Apple-it dhe Google-it, me pretekstin se nuk mund të përballonte famën që i kishte sjellë kjo lojë.

Tani përdoruesit e pajisjeve Amazon Fire TV do të kenë mundësi të luajnë lojën Flappy Birds Family, e cila është pothuajse e njëjtë me lojën e mëparshme, përveçse janë shtuar disa veçori të reja. Loja vazhdon të jetë akoma e njëjta, ku lojtari duhet të ndjekë një zog duke hasur një seri pengesash, por tani përfshihen pengesa të tjera, karaktere të veçanta dhe një mënyrë ku mund të luajnë shumë persona. Thuhet se kjo lojë do të vijë së shpejti edhe në platformat e tjera. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>