Lajmet

ROBOTË në Kosovë?!?

Aug 25 2008
0 Shpërndarje
ROBOTË në Kosovë?!?

Pak kush e di se në Kosovë ka një ekip robotësh që luajnë futboll. Një lojë e këtij ekipi të çuditshëm është organizuar për herë të parë në vitin 2003. Ekipi i robotëve, mban emrin “Skënderbeu” dhe është dizenjuar nga profesorët vendorë dhe ndërkombëtarë të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), me ndihmë dhe nga studentët e këtij universiteti. “Skënderbeu” do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian të Futbollit, që organizohet në Zvicër dhe Austri; dy vendet që do të jenë edhe mikpritësit e kampionatit evropian të futbollit.

Përgatitjet për këtë ngjarje kanë nisur që shpejt dhe tashmë “Skënderbeu” është i gatshëm të luajë në Zvicër, nga 15 deri në 17 qershor 2008 dhe Linc të Austrisë nga 19 deri në 23 qershor. Organizatore e kampionatit është Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Robotëve (FIRA), organizëm ky i krijuar në vitin 2001, që promovon robotët për argëtim dhe lojë në Evropë. Ajo organizon kampionate vjetore të lojërave prezantuese dhe ngjarje të tjera shkencore. Një ekip i vërtetë i robotëve futbollistë përbëhet nga 11 lojtarë, njëri nga të cilët është portier. Në bazë të numrit të lojtarëve përcaktohet edhe kategoria ose liga në të cilën merr pjesë ekipi. Sipas rregullave, robotët nuk guxojnë të jenë më tëmëdhenj se 7.5 cm dhe duhet të lëvizin deri në 12 km në orë. Loja zgjat dy herë nga 5 minuta dhe ndalet nëse ndonjëri prej robotëve dëmtohet dhe duhet larguar nga fusha. Loja e robotëve është shembull tipik i “Multi-Agent Systems” (MAS), ku robotët inteligjentë veprojnë së bashku në mënyrë kooperative dhe inteligjente.

Udhëheqës i Ekipit “Skënderbeu” në këtë kampionat është rektori i UBT-së, Dr. Edmond Hajrizi, ndërsa pjesë e ekipit janë edhe profesori Artan Dërmaku dhe studentët, të cilët ka muaj që janë duke zhvilluar përgatitjet intensive për përfaqësim sa më të denjë në këtë garë prestigjioze e argëtuese. Vetë fakti se Kosova është vendi i vetëm nga rajoni që përfaqësohet në këtë kampionat, tregon për rëndësinë e tij, ndërsa për UBT-në shënon një të ardhme të madhe, por edhe një përgjegjësi të shumëfishtë, që lidhet me përfaqësimin sa më dinjitoz të Kosovës, në një garë ku në futbollin real shteti ynë ende nuk ka arritur të depërtojë. Rektori i UBT-së, Dr. Edmond Hajrizi, pasi shpjegon se loja e futbollit me robotë është një kombinim i teknologjisë së lartë dhe sportit, çmon si shumë të rëndësishëm faktin se Kosova, përmes UBT-së, përfaqësohet për herë të parë në një ngjarje të tillë të karakterit ndërkombëtar. “Vetë ftesa dhe pjesëmarrja tregon për nivelin e lartë të punës që bëhet në UBT”, thekson Dr. Hajrizi, duke theksuar faktin se e gjithë puna në përgatitjen e ekipit “Skënderbeu” është bërë në UBT, nga profesorët dhe studentët e këtij universiteti. Dr. Hajrizi kujton se në UBT aktivitetet me robotë zhvillohen nga viti 2003 dhe shton se zhvillimi i këtyre aktiviteteve është ndihmuar dukshëm nga fakti se UBT ka laborator bashkëkohor të robotikës, mekatronikës dhe shkencave kompjuterike. UBT ka zhvilluar projekte të shumta ndërkombëtare, hulumtime dhe zhvillime, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Lajmet e fundit>