Lajmet

Rriten sulmet nga viruset

May 20 2013
0 Shpërndarje
Rriten sulmet nga viruset

Mesa duket, viruset e kompjuterëve, të cilët na kishin “munguar” për disa kohë, janë rikthyer.

Termi “virus” përdoret për të përcaktuar një softuer apo program dashakeqës, i cili infekton skedarët e kompjuterit tonë dhe shumohet, duke dëmtuar kompjuterin. Ka disa kohë që malware-t e këtyre ditëve nuk përhapen aq shumë në këtë mënyrë.

Por çfarë ka ndodhur? Microsoft-i ka vënë re se viruset – të cilët përbënin vetëm 5% të sulmeve në kompjuterat mbi të cilat kompania krijon sondazhet e veta – janë rritur në numër në disa rajone.

Gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, viruset përbënin 7.8% të malware-ve prezentë në kompjuterët e skanuar nga kompania. Në disa vende, si Pakistani, Indonezia, Etiopia, Bangladeshi, Somalia, Egjipti dhe Afganistani, përqindja e kompjuterëve me viruse varionte mes 35 dhe 44 përqind.

Microsoft shprehet se, pavarësisht se nuk ka të dhëna të plota në vendet e lartpërmendura, ata kanë vënë re se 30 – 40% e kompjuterëve në disa shtete nuk kanë antiviruse të përditësuara, krahasuar me nivelin prej 24% që kjo shifër vlerësohet në botë.

Mbi 8 milionë kompjuterë janë të infektuar me virusin Sality, i cili u bashkangjitet skedarëve të tipit .scr apo .exe. Ai mund të bllokojë proceset e kompjuterit apo shërbimet e softuerëve të sigurisë. Prek më tepër kompjuterët me Windows XP.

Për të infektuar kompjuterët, Sality ka shfrytëzuar një dobësi që është përdorur edhe nga Stuxnet, malware që ishte projektuar për të shkatërruar mjetet e Siemens-it me të cilat punonte Irani në programin nuklear. (PCWorld Albanian)

viruset

Tags >

viruset
Lajmet e fundit>