Lajmet

Rrjeti i Startup Grind vjen në Tiranë në muajin shtator

Jul 25 2014
0 Shpërndarje
Rrjeti i Startup Grind vjen në Tiranë në muajin shtator

Nëse je i pasionuar pas teknologjisë, ke ide inovative, por ke nevojë për pak frymëzim, apo thjesht ke krijuar diçka me duart e tua dhe kërkon t’ia tregosh “botës”, mos e humb Startup Grind, komunitetin më të madh të krijuesve të rinj të teknologjisë që do të mbahet për herë të parë në Tiranë më 10 shtator të këtij viti. I krijuar për të mësuar, frymëzuar dhe lidhur me njëri-tjetrin sipërmarrës të rinj në fushën e teknologjisë, qëllimi i Startup Grind, që mbështetet edhe nga Google for Entrepreneurs, është të ndërtojë një rrjet komunitetesh për sipërmarrësit nga e gjithë bota. Pikërisht, ky është qëllimi i organizatorit të Startup Grind Tirana, Endri Mataj: të sjellë në vëmendjen e sipërmarrësve të rinj eksperiencën e emrave më të njohur të fushës së teknologjisë në Shqipëri dhe jashtë saj.

Startup Grind,

“Misioni i Startup Grind Tirana është të mirëpresë në një forum të ngushtë komunitetin e themeluesve dhe sipërmarrësve që duan të mësojnë nga eksperienca më e mirë e liderëve apo drejtuesve të kompanive të teknologjisë”, thotë Endri Mataj. Sipas tij, qëllimi i Startup Grind Tirana është që të promovojë komunitetin shqiptar të fushës së teknologjisë, për të ndarë eksperienca dhe mendime me homologët e tyre në botë.

Folësi i parë i takimit më 10 shtator do të jetë Gentian Likaj, themeluesi dhe drejtori i Communication Progress, i cili ka një eksperiencë 15 vjeçare në fushën e teknologjisë dhe drejton një nga kompanitë më të suksesshme të softuerit në Shqipëri. Likaj do të fokusohet mbi mënyrën se si të bësh biznes në Shqipëri dhe rajon, duke dhënë një panoramë të gjerë të fushës nëpërmjet eksperiencës së tij, e cila e ka shpënë atë drejt suksesit.

“Të ngresh diçka tënden nga fillimi nuk është aspak e lehtë, sidomos në një vend të vogël ballkanik si Shqipëria. Nëpërmjet rrjetit të vet komunitar lokal dhe global, Startup Grind është një mbështetje më shumë për përpjekjet e kujtdo që kërkon suksesin”, shprehet Mataj.

Në dekadën e fundit, Tirana ka njohur rritjen më të madhe të sipërmarrjeve në fushën e teknologjisë. Këto kompani janë themeluar nga individë me talente të veçanta dhe eksperienca personale të jashtëzakonshme. Nëpërmjet eventeve mujore, Startup Grind Tirana do të ftojë themeluesit e kompanive më të suksesshme shqiptare, njerëz me ide inovatore dhe investitorë, për të shkëmbyer me komunitetin e Startup Grind eksperiencat e tyre jo të zakonshme, ku do të rrëfejnë rrugën ku duhet ecur, por edhe pllakat që s’duhen shkelur, për të krijuar një biznes të suksesshëm në Shqipëri.

Ky është një rast fantastik për t’u njohur drejtpërdrejtë me këta njerëz të talentuar, t’u bëni pyetje dhe të krijoni kontakte me ta. Prandaj, bëhuni gati të përjetoni diçka që nuk e keni provuar asnjëherë më parë, duke iu bashkuar komunitetit më të madh të startua-ve në botë, nëpërmjet link-ut: http://www.eventbrite.com/e/startup-grind-tirana-hosts-gentian-likaj-communication-progress-tickets-12400312669. Rrjeti botëror i Startup Grind operon në më shumë se 100 qytete dhe 42 vende të botës. Takimi i parë i Startup Grind Tirana do të mbahet ditën e mërkurë, datë 10 shtator, ora 17:30, në PROTIK – ICT Resource Center, në Rrugën Papa Gjon Pali II, Nr. 3, Kati i 2. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>