Vëzhgim

Sa bojë ka mbetur në atë kuti

Feb 13 2009
0 Shpërndarje
Sa bojë ka mbetur në atë kuti

altI përdorëm printerët deri sa programi na njoftoi se ish koha për të ndërruar bojën, por pamë se disa prej tyre lanë më shumë se 40% të mbushjes të papërdorur.
Me siguri që ju ka ndodhur të njoftoheni nga printeri se është koha për të ndërruar bojën, por nuk ja keni vënë veshin dhe keni vazhduar printimin. Pas ditësh e ndoshta javësh që boja vazhdon të printojë njeriu fillon të mendojë se lajmi që boja kish mbaruar ka qenë vërtet i ekzagjeruar.
Apo ndoshta printeri thjesht fiket kur vendos se mjaft e ka shfrytëzuar bojën që ka dhe nuk do të fillojë deri sa t’i ndërrosh bojën e vjetër me një të re.
PC World bëri disa testime në laborator për këtë problem dhe rezultatet konfirmuan atë që ju mund të keni dyshuar: Shumë nga kutitë e bojës të prodhuara nga markat apo prodhuesit palë e tretë, kishin akoma shumë bojë kur printeri ku përdoreshin li lexonte si “bosh”.
Në fakt, PC World ka vënë re se disa printerë ikjet detyrojnë përdoruesit të zëvendësojnë kutinë e bojës kur ajo është thuajse gjysmë e mbushur. 

Pikat mbi “i”
I bëmë testet duke përdorur printerë multifunksionalë ikjet nga prodhuesit më të mëdhenj: Canon, Epson, Hewlett-Packard dhe Kodak. Rezultatet tona treguan se kur këta printerë raportuan se kutitë e bojës së zezë ishin bosh, sasia e bojës së papërdorur varionte nga 8% te printerët e Epson, deri në 45% të kutitë zëvendësuese për printerët Canon. Printerët e testuar lanë më shumë bojë të papërdorur dhe në disa raste jashtëzakonisht shumë, kur përdornin bojë të prodhuar nga të tretë në krahasim me sasinë e lënë në kutitë e prodhuar nga vetë markat.
Është e rëndësishme të theksohet se rezultatet tona tregojnë performancë e një grupi të vogël printerësh të shoqëruar secili me një markë të caktuar boje. Që kur OEM-të dhe konkurrentët e tyre riprodhues shesin dhjetëra lloje kuti boje për një gamë të gjerë printerësh, besoj se duhet të konsideroni rezultatet tona si një raport panoramik i mënyrës se si çdo printer trajton bojën e mbetur në kuti.

Prapë mbetje?
Dizajnimi i printerëve për të mos harxhuar komplet kutitë e bojës është një mënyrë e zgjuar për shumë arsye, thonë ekspertët e printerëve.
“Shumë bojëra, kur boshatisen komplet dhe thahen, shkaktojnë dëme të mëdha te printerët”, shpjegon Brian Hilton, punonjës i vjetër inxhinier i  në Institutin e Teknologjisë Rochester. “Është mirë që një pjesë e bojës të ngelet në kuti, që asnjëherë mos thahet plotësisht.”
Vëzhgues të tjerë njoftojnë se sasia e bojës së lënë në kuti është shpesh shumë e vogël. “Printerët janë bërë në përgjithësi më efecientë me kalimin e viteve”, thotë Andy Lippman, një analist me Lyra. “në të shkuarën mund të keni parë 40 ml të lënë në kutitë e bojës së zezë. Sot, e njëjta sasi faqesh arrin të printohet me 7 apo 8 ml”.

Ar i lëngshëm

altMegjithatë, përdoruesit e printerëve po hedhin tutje kot shumë bojë të përdorshme dhe ky është vërtet një problem kur mendon se sa e shtrenjtë është boja e printerëve. Përgjithësisht një kuti bojë (ink) e zezë ka 8 ml bojë dhe kushton rreth 10$, që është e barasvlershme me 1.25$ për mililitër. Nëse blini një galon bojë gjatë jetës së atij printeri, do të paguani 4731$ për një lëng që një prodhues dytësor na tha se kushton pak për t’u prodhuar.
Steve Pociask, president i Institutit Amerikan të Konsumatorëve, një organizatë jofitimprurëse kërkimi me qendër në Uashington, kohët e fundit bashkëshkri me dikë tjetër një studim 50-faqësh për tregun e printerëve inkjet dhe kutive të bojës që përdorin. “Në disa raste pamë se çmimi i printerit (harduer) ishte vetëm një e teta e kostos së printimit në përgjithësi”, thotë Pociask. “Gjatë jetës së një printeri, që është rreth 3 vjet, mund të shpenzosh pa frikë 800$ për printerin dhe bojën.”

Si printuam
Nuk testuam printimin me ngjyra sepse disa printerë përdorin kuti boje të ndryshme për çdo ngjyrë, kurse të tjerët përdorin kuti të vetme trengjyrëshe. Një test standard mund të mos e harxhonte ngjyrën njëtrajtësisht, gjë që do i jepte ndonjë printeri një avantazh të padrejtë.
Tony Leung, analist i vjetër i të dhënave në Qendrën e Testimit të PC World, peshoi çdo kuti boje të zezë me një saktësi deri në 0.001 gram, për të përcaktuat peshën iniciale të kutisë.
Pas kësaj printoj faqe në vazhdim deri sa printeri, si pasojë e informacionit të marrë nga kutia e bojës për përfundimin e saj nuk e lejoi më të printonte. Kur printerët ndaluan printimin, Leung hoqi dhe peshoi përsëri kutitë e bojës së zezë për të përcaktuar peshën kur printeri e përcaktoi si “bosh”. Më pas ai zbrazi kutitë plotësisht nga boja, duke hequr dhe sfungjerët e vegjël që gjenden brenda dhe i peshoi kutitë për të gjetur peshën e tyre bosh. Kjo metodë na lejoi të gjenim peshën e saktë të bojës kur ishte plot, kur printeri tha se ishte bosh dhe kur vërtet ishte bosh.
Me një nga kutitë e zeza të prodhuara nga vetë Canon, printeri Pixma MP610 që testuam ndaloi printimin me 24% të bojës akoma në kuti. Canon nuk i kundërshtoi rezultatet, por zëdhënësi Kevin McCarthy theksoi se printerët Canon i lejojnë përdoruesit të printojnë edhe pas njoftimit të printerit se boja po mbaron. “Ka shumë njoftime tipike nga printeri para se boja të mbarojë plotësisht, që njoftojnë përdoruesin për nivelin e bojës”, thotë McCarthy.
Kur kompletohet me një kuti boje nga G&G, printeri Canon ndaloi printimin me thuajse 45% të bojës të papërdorur.
Kompletuar me një kuti boje Epson, një printer Epson RX680 që testuam ndaloi printimin me 8% të bojës së pashfrytëzuar. Një zëdhënës i Epson tha se, “8% mbetje e bojës mbetur në testimet tuaja është një sasi normale. Kjo rezervë siguron cilësinë dhe vijueshmërinë e printerit”.
Por historia ndryshoi kur me printerin Epson përdorëm kutitë e bojës të prodhuara nga LD Products. Këtë herë printeri ndaloi punën me 41% të bojës akoma në kuti. Pse gjithë ky hendek midis dy kutive të ndryshme të bojës?
“Boja vetë është e lirë, kështu ne i rimbushim kutitë mbi nivelin origjinal”, thotë Ben Chafetz, zv.president i marketingut për LD Products. Meqë këto kuti janë të mbushura me më shumë bojë se sa ato të markës është normale që do kenë më shumë bojë në momentin që ndalojnë së printuari, shprehet Chafetz. Ai shton gjithashtu se pavarësisht nga përqindja e bojës e mbetur në kuti, sasia e faqeve që printohen me një mbushje të LD është e njëjtë me ato që prodhohen nga një kuti e vetë Epson. PC World nuk testoi sasinë e faqeve të printuara në këtë test.
Printeri multifunksional Photosmart C5280 e HP që vlerësuam nuk ndaloi printimin me arritjen e fundit të kutisë së bojës. Me një kuti boje OEM të instaluar printeri shfaqi mesazhe të ndryshme me pakësimin e bojës, por nuk na detyroi kurrë të zëvendësonim kutinë e bojës. C5280 do të vazhdojë të printojë deri sa në kuti nuk mbetet as një pikë bojë, por duke qenë se kokat e printimit te HP janë të montuara te kutia e bojës, përfundimi i saj nuk rrezikon të dëmtojë printerin. Kur përdorëm një kuti boje jo origjinale nga LD Products, C5280 nuk shfaqi asnjë mesazh njoftimi për përfundimin e bojës. Mos do të thotë kjo që sistemi i njoftimit të HP punon vetëm me kutitë e bojës së prodhuar nga vetë kompania? “Shumë kuti jo origjinale nuk tregojnë asnjë njoftim për pakësimin e bojës, duke mos i dhënë përdoruesve asnjë sinjalizim se boja po mbaron”, shkruan zëdhënësja e HP, Ketie Neal.
Por Chafetz thotë se boja e LD Products për HP janë aktualisht kuti boje origjinale të HP të rimbushura. Një nga shkaqet e mundshme të mungesës së njoftimeve për bojën e pakët ka mundësi të ketë qenë leximi i gabuar nga ana e printerit të çipit të kutisë së bojës, thotë ai.
E pajisur me një kuti boje nga vetë Kodak, printeri Kodak EasyShare 5300 pushoi së printuari me 43% të bojës akoma në kuti. Roderck Eslinger, Manaxher teknik i marketingut të Kodak thotë se testimet e Kodak në laboratorët e vet në vitin 2007 treguan se 65% e bojës së kutive përdorej për printim, kurse 35% përdorej për të mbrojtur dhe garantuar performancë e printerëve Kodak dhe cilësinë e dokumenteve të printuar. Eslinger thotë se ky fakt është publikuar në materialet publicitare për përdoruesit.
Me një kuti boje G&G printeri Kodak pushoi së printuari me 36% të bojës akoma në kuti.

Kujdes numrin e faqeve të printuara
altDisa shitës dhe analistë këshillojnë që blerësit të kenë kujdes për sasinë e faqeve që arrin të printojë printeri me një mbushje boje dhe të mos shqetësohen me sasinë e bojës që lihet e papërdorur në kuti. “Kjo është mënyra më e mirë për të kuptuar jetëgjatësinë e një mbushje boje, në vend të sasisë së bojës apo asaj që ngelet pa u përdorur”, thotë Lippman nga Lyra Research.
Por sasia e pretenduar nga shitësit për faqet e printuara nuk paraqet shpesh realitetin, siç kemi zbuluar duke testuar printerët për një artikull tjetër: “Bojë e lirë: A do ju kushtojë më shtrenjtë?” (find.pcworld.com/61892). Duke përdorur një komplet tjetër kutish boje OEM dhe printerësh, zbuluam se një kuti boje e zezë nga HP e kaloi numrin e pretenduar të faqeve të printuara nga 660 në 810, kurse një model Epson printoi vetëm 209 faqe, shumë më pak se sa pretendimi i kompanisë prej 335 faqesh. Një printer Kodak prodhoi 480 faqe përkundër 540 të pretenduara nga kompania.
Duke mos marrë parasysh sasinë e faqeve të printuara, akoma po presim të mësojmë nga kompanitë se përse printerët lenë kaq shumë bojë të papërdorur në kuti. Edhe pse mbetja mund të jetë thjesht disa mililitra, do të kish mundur të printonte një sasi akoma më të madhe faqesh. Boja që nuk shkon në një faqe të printuar do të përfundojë në plehra dhe do të kontribuojë me një ndotje akoma më të madhe toksike të ambientit.

Për këshilla për uljen e kostos së printimit, shikoni “Kurseni para me bojën e printerëve ikjet” në find.pcworld.com/61891 dhe “Si të shpenzoni më pak për printim duke arritur rezultate më të mira”, në find.pcworld.com/61893.
 

Lajmet e fundit>