Biznes

Samsung, gati për t’ia zënë vendin Nokia’s

Jul 25 2011
0 Shpërndarje
Samsung, gati për t’ia zënë vendin Nokia’s

Bloomberg ka bërë të ditur se shifrat zyrtare të shitjeve të Samsung duhet të jenë mes 18 dhe 21 milion njësi të shitura anembanë botës. Nëse Samsung del ashtu si ka parashikuar në 20.3 milion njësi të shituar, atëherë kjo mund të jetë rezultat edhe më i mirë sesa shitjet e çerekut të fundit të iPhone të kompanisë Apple. Samsung pritet të ketë një pjesëmarrje prej rreth 20 për qind në nivel botëror, kurse Nokia në anën tjetër ka mbetur me 26 për qind. 

“Portofoli Samsung Android është duke u shitur fuqishëm në shumicën e rajoneve” tha analisti Neil Mawston nga Strategy Analytics. “Samsung ka një mundësi të mirë të kapjes së vendit të parë në nivele çerekore nëse vazhdon të zgjerojë portofolin e saj me Android përgjatë tregjeve me rritje të lartë si Kina e Brazili. Samsung dhe Apple do të jenë në nivele të ngjashme në konkurrim për pjesëmarrje në tregun e celularëve të mençur deri në fund të vitit”. 

Samsung në anën tjetër shet edhe disa celularë që funksionojnë me Bada OS, ku mund të thuhet me shifra jo zyrtare se këta celularë kanë një pjesëmarrje mjaft të mirë edhe në tregun e Kosovës, e që në anën tjetër në nivel të përgjithshëm shitja e tyre kontribuon në rezultatet financiare. 

Por suksesi i Samsung nuk mund të kompletohet pa përmendur Galaxy S II, që ka shitur mbi 3 milion njësi në 55 ditë (çdo 1.5 sekondë një Galaxy S II i shitur). Sipas analistëve, S II ka dyfishuar të hyrat operative për çerekun e dytë të Samsung, e ky celularë ende nuk është lansuar në SHBA. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>