Harduer

Samsung prezanton zyrtarisht orën inteligjente Galaxy Gear

Sep 5 2013
0 Shpërndarje
Samsung prezanton zyrtarisht orën inteligjente Galaxy Gear

Samsung prezantoi më në fund orën inteligjente, mjaft të përfolur kohët e fundit, Galaxy Gear, dy ditë para hapjes zyrtare të panairit IFA në Berlin.

Fillimisht ora u prezantua nga këngetaret e Icona Pop në Nju Jork e më pas shefi ekzekutiv i kompanisë, J. K. Shin zbuloi pajisjen në eventin e Tempodrom, para një audience prej 2500 njerëzish.

Specifikimet e orës janë në fakt disi më zhgënjyese sesa ishte përfolur: ekrani 1.63’inç, 320 x 320 pixel Super AMOLED, kamer 1.9-megapixel, procesor 800MHz, 512MB RAM dhe 4GB hapësirë kujtese.

Nëse po vrisni mendjen se për çfarë mund të përdoret kamera, po ju japim një ide: Memographer. Është një karakteristikë që u mundëson përdoruesve të regjistrojnë video dhe foto gjatë kohës që janë në lëvizje dhe t’i shpërndajnë ato nëpër rrjetet sociale.

Nëse e mendon mirë nuk është ndonjë gjë shumë revolucionarizuese, por ideja se mund ta bësh nga kyçi i dorës, pa pasur nevojë të nxjerrësh telefonin nga xhepi e bën interesante.

Gear suporton njohjen e zërit, duke bërë që përdoruesi të ketë mundësi të bëjë telefonata përmes orës. Po ashtu mund të kontrollohet edhe muzika që luhet në një pajisje Samsung Galaxy. Një veçori tjetër është pedometri, i cili mund të përdoret për të gjurmuar aktivitetet fizike.

Samsung e ka quajtur Galaxy Gear si “shoqëruesin perfekt të Galaxy Note 3”. Këto fjalë nuk janë të rastësishme – Gear do të dërgohet për shitje bashkë me Note 3 dhe është plotësisht i përshtatshëm me të.

Samsung nuk ka hyrë në detaje lidhur me pajisjet e tjera Galaxy që do të jenë të përshtatshme me Gear, megjithatë supozohet se do të përshtatet me të gjitha. Ora do të jetë e disponueshme në gjashtë ngjyra: e zezë, gri, portokalli, bezhë, ngjyrë floriri dhe jeshile. Pajisja do të ofrohet për shitje prej 25 shtatorit në mbi 140 shtete për 299 $. (PCWorld Albanian)

galaxy gery

Lajmet e fundit>