Harduer

Samsung synon të tejkalojë Apple në tregun e tabletëve

Nov 9 2013
0 Shpërndarje
Samsung synon të tejkalojë Apple në tregun e tabletëve

Samsung ka mundur të tejkalojë Apple në tregun e smartfonëve dhe tani ka si synim të avancojë më tepër në arenën e tabletëve.

Gjatë eventit “Analyst Day” të organizuar ditën e mërkurë në qytetin Seoul të Koresë së Jugut, kreu i divizionit të pajisjeve mobile Samsung JK Shin tha se kompania po punon për të zbritur Apple nga “froni” i tregut të tabletëve.

Shefi ekzekutiv nuk specifikoi një afat të caktuar për arritjen e këtij qëllimi, por në vazhdim shtoi se Samsung synon të jetë kompania më e dashur për konsumatorët në drejtim të pajisjeve mobile.

Sipas Shin, shitjet e tabletëve Samsung pritet të arrijnë në 40 milion deri në fund të këtij viti, vihet re një dyfishim i sasisë krahasuar me vitin e kaluar. Në fakt një rritje e konsiderueshme e këtyre shitjeve është vënë re për herë të parë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Megjithatë për të tejkaluar Apple do të duhet një punë shumë e madhe duke qenë se kjo kompani ka mundur të shesë 42.8 milion iPad-ë vetëm gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2013, ndërsa gjatë këtij tremujori të fundit ku përfshihen edhe festat e fundvitit pritet të shiten edhe 24 deri në 27 milion iPad-ë të tjerë.

Në mbyllje të këtij viti pritet që shuma totale e iPad-ëve të shitur të jetë rreth 72 milion. Në vitin 2012 Apple ka shitur 65.7 milion tabletë.

Pavarësisht se Apple është kompania numër 1 në tregun e tabletëve, së fundmi është vënë re reduktimi i pjesës së tregut që ajo zotëron për shkak të veprimit të rivalëve që përdorin Android ku vlen të theksohet Samsung.

Tremujorin e kaluar pjesa e tregut e zotëruar nga Apple ishte 29.7%, ndërkohë që vitin e kaluar kjo pjesë ka qenë 33.5%. Për të njëjtën periudhë kohore pjesa e tregut e zotëruar nga Samsung është rritur nga 19.9% në 22.2%. (PCWorld Albanian)

Samsung_Galaxy_Tab_3_8-inch

Lajmet e fundit>