Lajmet

Së shpejti Outlook.com mund të jetë po aq i sigurt sa Gmail

Apr 11 2013
0 Shpërndarje
Së shpejti Outlook.com mund të jetë po aq i sigurt sa Gmail

Kur Microsoft-i rilançoi Hotmail-in në formën Outlook.com vitin e kaluar, mund të themi se ky ishte hapi i parë i rilindjes së shërbimit.

Edhe pse deri tani ka marrë vlerësime pozitive, Outlook.com i mungon ende autentikimi me dy hapa, opsion ky që e bën Gmail-in më të sigurtë.

Megjithatë, duket se edhe ky opsion do të vijë shumë shpejt për Outlook.com.

Autentikimi me dy hapa do të ofrohet së shpejti edhe për shërbimin e Microsoft-it, raportohet nga LiveSide.

Edhe pse faqja nuk bën të ditur burime specifike nga e ka marrë lajmin, ofron disa pamje në formë screenshot të karakteristikës së ardhshme.

Ashtu si edhe Gmail, autentikimi me dy hapa për Outlook.com do t’i kërkojë përdoruesit të vendosë një kod i cili i dërgohet në celular, pasi ka vendosur fillimisht fjalëkalimin e tij.

Por, në vend që të dërgohet me SMS, sistemi do të jetë në fakt i lidhur me një aplikacion autentikues, i cili gjeneron kode.

Pasi ta shkarkojnë aplikacionin, përdoruesit mund të lidhen me Outlook.com përmes një kodi QR që do të shfaqet në ekran.

Aplikacioni është për momentin i disponueshëm në Windows Phone 8 store, edhe pse ende nuk dihet nëse do të ofrohet edhe për përdoruesit që nuk i përkasin platformës WP. Sistemi mund të ketë gjithashtu edhe një opsion për marrjen e kodeve me SMS apo në formë telefonate, megjithatë kjo nuk është ende e qartë aktualisht.

Gjithsesi, vetë Microsoft-i e ka konfirmuar ofrimin e autentikimit me dy hapa që verën e kaluar, duke u shprehur se po punonte për të. Përveç Google, edhe kompani të tjera si Apple apo Facebook, e kanë implementuar këtë mënyrë sigurie.

Kohët e fundit u përfol se edhe Twitter po punon për ta shtuar së shpejti. (PCWorld Albanian)

outlook

Lajmet e fundit>