Lajmet

Seminar falas dhe i hapur për Wikipedia-n në Tiranë

Sep 16 2013
0 Shpërndarje
Seminar falas dhe i hapur për Wikipedia-n në Tiranë

wikipedia seminarMë 21 shtator 2013, është planifikuar që në “hackerspace-in” e parë të hapur në Shqipëri, Open Labs në Tiranë të mbahet një seminar praktik për Wikipedia-n.

Ky seminar pritet kryesisht që të jetë për fillestarë, për të cilët nuk dinë edhe aq për funksionimin e Wikipedia-s, nuk e dinë rëndësinë e madhe që ka dhe si ta përdorin atë.

Shumëkush mund të ketë dëgjuar apo edhe përdorur Wikipedia-n, por a jeni ju në mesin e atyre që nuk e dinë se kjo faqe, e cila është enciklopedia më e madhe në botë on line, është në fakt e përgatitur pothuajse tërësisht nga kontribuues vullnetarë, në mesin e të cilëve mund të jeni ju? Një gjë shumë e mirë për këtë enciklopedi përveç të tjerash është edhe ekzistenca e materialeve në shumë gjuhë, në mesin e të cilave është edhe gjuha shqipe.

Interneti përveç që është një mjet i përshtatshëm për të qenë në kontakt me të afërmit tuaj, është edhe mundësi për të mësuar rreth shumë gjërave dhe këtë mund ta bëni fare thjesht pa paguar asgjë duke përdorur shumë burime, në mesin e të cilave është Wikipedia. Jo çdo shqiptar është edhe aq i mirë në anglisht sa mund të jeni ju që i lexoni artikujt e Wikipedia-s në anglisht, apo në ndonjë gjuhë tjetër.

Prandaj, është e nevojshme që kjo enciklopedi të pasurohet me materiale në shqip. Deri tani janë shkruar 49.968 artikuj në gjuhën shqipe dhe nëse dëshironi të shkruani artikullin tuaj të parë dhe ta rrisni më pas këtë numër, por nuk keni njohuri se si ta bëni këtë gjë, atëherë ky seminar mund të jetë një vend i përshtatshëm.

Seminari është planifikuar të mbahet më 21 shtator, duke filluar nga ora 15.00. Për ata që nuk e dinë se ku ndodhet ky vend, mund të shikoni udhëzimet në hartë. (PC World Albanian)

Lajmet e fundit>