Harduer

Sensori i shenjave të gishtave në iPhone 5S do të përballet së shpejti me konkurrentë

Sep 12 2013
0 Shpërndarje
Sensori i shenjave të gishtave në iPhone 5S do të përballet së shpejti me konkurrentë

Me teknologjinë e sensorit të shenjave të gishtave (TouchID), Apple mund të ndikojë në zgjerimin e biometrikës në fushën e pajisjeve mobile.

Faktikisht, shumë ekspertë të kësaj industrie mendojnë se prodhuesit e tjerë do ta ndjekin shumë shpejt kompaninë duke sjellë edhe ata skanuesit e tyre të shenjave të gishtave. TouchID, pjesë e iPhone 5S, skanon shenjat e gishtave të personit që shtyp butonin “Home”.

Për personin që e zotëron telefonin, ky i fundit zhbllokohet menjëherë, pa pasur nevojë për kod. Po ashtu, sistemi mund të mënjanojë nevojën e vendosjes së një fjalëkalimi sa herë që shkarkohen aplikacione nga App Store.

Zv. Presidenti i sektorit të marketingut, Phil Schiller, shpjegoi se sensori është shumë i ndjeshëm ndaj prekjes. Fizikisht, ai është shumë i hollë – 170 microns, ose konkretisht, vetëm pak më i trashë se një fije floku.

Ka rezolucion shumë të lartë, 550 pixels per inch. Gishtin mund ta rrotullosh si të duash, pasi sensori do ta lexojë gjithsesi.

Për ta mbrojtur sensorin, Apple ka përmirësuar jetëgjatësinë e butonit duke shtuar kristal safir, e duke e rrethuar atë me një unazë çeliku që bën dedektimin e gishtit. Duke marrë parasysh këto karakteristika, mund të jetë e vështirë për konkurrentët si Samsung, butonat e së cilit kanë madhësi jo të rregullt, ose BlackBerry, telefonët e së cilit nuk kanë buton “Home”.

Megjithatë, ekspertët mendojnë se kjo veçori do të mbetet e kufizuar edhe për disa kohë, duke qenë se ofruesit e biometrikës janë ende duke bashkëpunuar me prodhuesit e smartfonëve dhe në shumë raste, nuk është vendosur diçka e qartë mes tyre. (PCWorld Albanian)

iphone5s-touchid

Lajmet e fundit>