Lajmet

Shërbimet mobile, prioriteti më i madh për Yahoo gjatë vitit 2013

Apr 18 2013
0 Shpërndarje
Shërbimet mobile, prioriteti më i madh për Yahoo gjatë vitit 2013

Yahoo me sa duket e ka kuptuar rolin e madh që po fitojnë pajisjet mobile, si telefonët e mençur, apo të njohur ndryshe si smartfonë dhe tabletë, apo mini-kompjuterët që mund të barten gjithkund.

Prandaj, kjo ndërmarrje duke treguar për të hyrat e arritura ka paraqitur ambicien për të zhvilluar produkte që iu përgjigjen kërkesave të përdoruesve të cilët po zhvendosen nga PC-ja në pajisje mobile.

Yahoo dëshiron të shpejtojë zhvillimin e vet të produkteve mobile të përgatitura drejt shpërndarjes së përmbajtjes së personalizuar, tha gjatë të martës shefi ekzekutiv Marissa Mayer.

Se si do të arrihet kjo ende nuk është bërë e ditur, por arsyeja është e kuptueshme.

Duke qenë që një numër i madh i përdoruesve të internetit një pjesë të kohës e kalojnë në rrjetet shoqërore, të cilat kanë aplikacione mobile, është e rrugës që edhe Yahoo të zhvillojë ndonjë produkt me të cilin do të siguronte të hyra të vazhdueshme për ndërmarrjen.

Fitimet e ndërmarrjes Yahoo gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë arritur vlerën 390 milionë dollarë, që paraqet një ngritje prej 36 për qind në krahasim me vitin e kaluar, por të ardhurat shënuan rënie.

Përmirësimet e vazhdueshme të produkteve të Yahoo-së “do të rregullojnë ndërmarrjen për rritje në një afat të gjatë kohor,” tha ndërmarrja gjatë ditës së martë.

Yahoo vetëm se është tashmë duke bërë përparim në botën mobile. Në tre mujorin e parë të vitit 2013, numri i përdoruesve aktivë mobilë në muaj në Yahoo tejkaloi 300 milionë për herë të parë, tha Mayer.

Kjo paraqet një ngritje nga 200 milionë sa ishin raportuar gjatë zbulimit të të hyrave në janar.

Numri i përdoruesve aktivë në aplikacionet e Yahoo-së si Mail dhe Flickr po ashtu shënoi ngritje për më tepër se 50 për qind gjatë tremujorit, tha ndërmarrja.

Në Flickr, ngarkimi i fotografive mobile u rrit për më tepër se 50 për qind gjatë tremujorit.

“Rezultatet tona të hershme në shërbimet mobile janë premtuese,” tha Mayer. (PCWorld Albanian)

yahoo

Lajmet e fundit>