Lajmet

Shërbimi ALBtelecom ALBwifi: Sa inovativ aq edhe kontravers

Apr 27 2015
0 Shpërndarje
Shërbimi ALBtelecom ALBwifi: Sa inovativ aq edhe kontravers

albwifi

Padyshim se secili prej jush, të paktën ata që jetojnë në Shqipëri do e njohin shumë mirë shërbimin ALBwifi. Një iniciativë e ALBtelecom e cila synon të sjell internet Wi-Fi falas në të gjithë Shqipërinë, ALBwifi tashmë duket të jetë funksional më shumë se asnjëherë më parë.

Duke marrë shkas nga një video e publikuar nga ALBtelecom në Youtube, PCWorld Albanian mendoi ti hidhte një sy këtij shërbimi rreth avantazheve dhe disavantazheve. Natyrisht që përfitimi më i madh i përdoruesve nga ALBwifi është të qenurit falas. Por falas për abonentët e ALBtelecom që zotërojnë dhe përdorin një kartë SIM Eagle Mobile.

Çfarë është ALBwifi?

Ky projekt tashmë po bën dy vite që ka startuar dhe fillimisht pikat e para të aksesit wireles u vendosën në zonat turistike për të hyrë pastaj edhe në qytetet dhe zonat urbane si Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora etj. ALBtelecom pretendon se ofron 220 pika të aksesit falas në Wi-fi në të gjithë Shqipërinë. Për ata që duan të dinë nëse ky shërbim ofrohet në qytetin e tyre apo zonën ku jetojnë mund të klikoni këtu për të vizituar hartat e mbulimit.

Fillimisht aksesi në këtë shërbimin kushtonte ndërsa kohët e fundit është bërë falas për abonentët që kanë një numër Eagle Mobile. Por sot ne nuk jemi këtu për të përshkruar ato çfarë thotë ALBtelecom por për të treguar mendimet tona në lidhje me këtë shërbim si dhe për të diskutuar rreth përfitimeve që ka.

albwifi3

Aktualisht, ALBtelecom po ofron një aplikacion falas në Android përmes dyqanit të aplikacioneve Play Store i cili është i aftë të bëjë konfigurimin e këtij shërbimi. Edhe nëse nuk keni një telefon Android, konfigurimi është një proçes mjaft i lehtë duke qenë së identifikimi tek ky rrjet Wi-Fi bëhet përmes kartës SIM. Në rast se doni të shfrytëzoni këtë shërbim përmes laptopit tuaj atëherë duhet të dërgoni një sms në 55544 ku dhe do të merrni një kod 8 shifror që do të përdorni në vend të fjalëkalimit kur aksesoni një pikë aksesi Wi-fi të ALBwifi.

Vendosja e lidhjes me ALBwifi

Në rastin tonë shfrytëzuam një telefon Windows, Nokia Lumia 635, për të aksesuar shërbimin ALBwifi. Fillimisht u duhet të vendosni lidhjen Wi-fi me pikën e aksesit ALBwifi por mos harroni që duhet të jeni në një zonë ku ka mbulimin të cilin mund ta zbuloni përmes hartës së mbulimit që ofron ALBtelecom nga uebfaqja e tij. Kur përpiqeni të lidheni do të shfaqen disa opsione të tjera për të përcaktuar mënyrën e lidhjes ku duhet të përzgjidhni SIM ndërsa tek metoda e identifikimit duhet të përzgjdhni përsëri SIM.

albwifi2

Mbajeni mend se ky është një konfigurim manual i paisjes. Telefonët iOS, Windows Phone, Blackberry dhe Symbian kanë nevojë për konfigurim manual ndërsa në Android mjafton të hapni aplikacionin, të klikoni konfiguro dhe pastaj smartfoni juaj automatikisht do të lidhet me këtë rrjet. Mbase në të ardhmen ALBtelecom do e transferojë këtë aplikacion edhe në iOS, Windows Phone dhe Blackberry.

Shërbimi ALBWifi

Avantazhet:

–         Shpejtësi e lartë deri në 20 Mbps

–         Internet Falas

Disavantazhet:

–         Limiti prej 1 GB

–         Vetëm abonentët e Eagle Mobile mund ta shfrytëzojnë këtë shërbim

–         Mungesa e një mbulimi të gjërë të zonave urbane me këtë shërbim

Sapo vendosëm lidhjen me rrjetin ALBwifi menjëherë u drejtuam tek aplikacioni Speedtest.net zhvilluar nga Ookla. Testimi është bërë nga qyteti i Shkodrës në një zonë ku kishte mbulim Wi-Fi. ALBtelecom reklamon shpejtësi deri në 20 Mbps. Maksimumi i shpejtësisë së arritur nga aplikacioni ynë Speedtest.Net në telefonin Windows ishte pak më shumë se 15 Mbps në shkarkim dhe 6 Mbps në ngarkim. Një shpejtësi e lartë kjo po të konsiderosh faktin se ALBtelecom ofron paketat ADSL akoma me 4, 6, 8 dhe 12 Mbps me çmime të kripura.

albwifi1

Një nga mangësitë më të mëdha të këtij shërbimi është limiti prej 1 GB në ditë. Në fakt, këto 1 GB mund të mjaftojnë për një qëndrim 2 orësh në një kafe duke aksesuar rrjetet sociale dhe vështruar video në Youtube por jo më shumë. Por edhe sikur të dëshironim të aksesonim ALBwifi me laptopin tonë atëherë edhe më keq, dhe fatkeqësia e vërtetë do ishte sikur kompjuteri juaj të ishte duke instaluar ca përditësime në sfond përmes Windows Update. Nga ana tjetër, në qytetin ku ne kryem testimet kishte vetëm 8 pika aksesi ndërkaq ka qytete që kanë vetëm 1 apo 2 ndërsa Tirana ka më shumë se 120 të tilla.

E fundit por jo më e parëndësishmja është pamundësia e abonentëve të AMC, Plus dhe Vodafone për të përdorur shërbimin. Në fakt ne nuk po e kërkojmë falas, teksa unë personalisht do isha i gatshëm të paguaja për atë 1 GB siç ka bërë ALBtelecom por jo të jem i detyruar të bëhemi pjesë e Eagle Mobile. Edhe më parë ALBtelecom tarifonte abonentët e saj kur shfrytëzonin këtë shërbim. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>