Biznes

Shitjet online shkojnë drejt shtrenjtimit nga taksat

May 25 2009
0 Shpërndarje
Shitjet online shkojnë drejt shtrenjtimit nga taksat
Gjatë vitit 2008 shteti i Nju Jorkut aprovoi një ligj të njohur si “Ligji Amazon”, i cili i kërkon shitësve online të mbledhin taksat shtetërore nga konsumatorët e tyre. Amazon.com dhe Overstock.com, kanë paditur shtetin e Nju Jorkut, por gjyqtari i rastit ka hedhur poshtë faktet e shitësve online.
 
Rregulli kundërshton në thelb vendimin të vitit 1992 të Gjykatës Supreme të SHBA, që thotë se shitësit nuk duhet të taksojnë qytetarët e një shteti ku kompania nuk ka prezencë fizike.
Dyshimeve rreth vendimit të fundit gjyqësor i shtohet edhe Streamlined Sales Tax Project (SSTP), një përpjekje e 15 shteteve në drejtim të thjeshtimit të mbledhjes së taksave nga shitjet. SSTP ndihmon anëtarët e vet duke dërguar përgjegjësinë e taksave tek një palë tjetër, kështu që shitësit online nuk duhet të marrin vetë numra fiskalë. Kjo organizatë ofron gjithashtu amnisti për disa taksa të papaguara apo të pambledhura. Parimisht, SSTP duhet të lehtësojë procesin e kalimit të një kompanie online, nga mospagimi i taksave shtetërore, në një regjim ku taksat do të paguhen.
 
Tani që kërkesa nga Amazon dhe Overstock është refuzuar nga gjykata në Nju Jork, shtete të tjera mund të ndjekin shembullin e t’u kërkojnë rezidentëve të tyre të paguajnë taksa për blerjet online, duke e bërë shopping në internet pak më të shtrenjtë për shumë njerëz të tjerë.

Lajmet e fundit>