Biznes

Shkon Akan Ismaili, në krye të IPKO vjen Branko Babic

Dec 18 2009
0 Shpërndarje
Shkon Akan Ismaili, në krye të IPKO vjen Branko Babic

Që nga fillimi i vitit të ardhshëm, kompania telekomunikuese IPKO do të udhëhiqet nga drejtori i ri ekzekutiv, Branko Babic, i cili do të jetë pasardhësi i Akan Ismailit, themeluesit dhe drejtorit të deritashëm të kompanisë.

Branko Babic është një profesionist me përvojë në menaxhim të biznesit, i cili ka punuar për më shumë se 12 vjet në industri të zhvilluara dhe në kompani të ndryshme ndërkombëtare si: Telekom Slovenije Group, KPMG, TBWA, BBDO Formitas, S&T Hermes Plus etj.

Z. Babic ka përfunduar Master në Administrim Biznesi (MBA), në Universitetin e Kansas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është i specializuar në Strategji të Biznesit, Financa dhe Menaxhim të Marrëdhënieve Konsumatore, ndërsa përvoja dhe shkollimi i tij superior do t’i krijojë kompanisë telekomunikuse IPKO, një përparësi të dallueshme në tregun e telekomunikacionit në Kosovë. 

Në tri vitet e fundit, Z.Babic ka qenë i përfshirë në procesin e Përvetësimit dhe Bashkimit Korporativ brenda Grupit të Telekom Slovenije, angazhim i cili është dëshmuar të jetë si faktor kyç për shndërrimin e grupit në një gjigant të industrisë së Telekomunikacionit i cili është prezent në Evropën Juglindore dhe Mesdhe.

Në anën tjetër, Akan Ismaili do të vazhdojë të mbetet në kompaninë IPKO. Në marrëveshje të plotë me Bordin e Drejtorëve në IPKO, Akan Ismaili do të jetë Anëtar i Bordit të Drejtorëve në kompaninë IPKO, prej nga do të kontribuojë për rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanisë. Akan Ismaili ishte i njohur si menaxher mjaft i sukseshëm duke radhitur IPKO-n si një nga kompanitë më të sukseshme të vendit. Emri i Akan Ismailit ishte përmendur disa herë edhe për mundësinë e përfshirjes së tij në politik, por kjo asnjëherë nuk është konfirmuar nga Ismaili. Mbetet të shihet se ku do të vazhdojë angazhimin e tij në ekonominë e vendit, pas një periudhe mjaft të sukseshme si drejtor i IPKO-s.

Kompania telekomunikuese IPKO, njihet si kompania e telekomunikacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë. E themeluar më 1999, IPKO është zhvilluar suksesshëm – nga ofruesi i parë i internetit në mbarë Kosovën – në një ndërmarrje moderne, që ofron spektër të plotë shërbimesh dhe përmbajtjesh të integruara në telefoni mobile, telefoni fikse, televizion kabllor digjital, dhe internet.

Lajmet e fundit>