Lajmet

Shpallen fituesit e konkursit mediatik “Dritan Hoxha”

May 24 2014
0 Shpërndarje
Shpallen fituesit e konkursit mediatik “Dritan Hoxha”

FotoJanë shpallur zyrtarisht tre çmimet e konkursit të iniciuar nga Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha”, në një ceremoni të organizuar me pjesëmarrjen e personaliteteve të ndryshme nga media dhe bota akademike. Në fjalën e saj drejtoresha e Fondacionit “Dritan Hoxha”, Vjollca Dako, u shpreh se qëllimi i këtij konkursi është inkurajimi dhe nxitja e brezit të ri të gazetarëve dhe promovimi i tyre, por edhe i formave të reja të gazetarisë.  Në këtë konkurs morën pjesë rreth 250 aplikantë, që konkurruan për tre çmime që ishin konkretisht: çmimi për shtypin e shkruar, për raportimin multimedial në ueb dhe çmimi për videon sociale.

Gjatë fjalës së saj, Dako vlerësoi bashkëpunimin me ICTSmedia-n, veçanërisht për organizimin e konkursit mbarë kombëtar  “Albanian ICT Awards”. “Fondacioni “Dritan Hoxha” e organizoi këtë konkurs pas dy bashkëpunimesh të suksesshme. Njëri prej tyre ishte bashkëpunimi me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-SOROS, me projektin “Rrathë”, një cikël dokumentarësh që sjell në një mënyrë të re realitetin që na rrethon. Ndërsa bashkëpunimi tjetër ishte për të dytin vit me kompaninë ICTSmedia për organizmin e konkursit dhe eventit “Albanian ICT Awards”, një event që mblodhi specialistë dhe të ri të talentuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe që solli projekte të reja në këtë fushë”, u shpreh Dako.

Më pas tre anëtarët e jurisë, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Mentor Kikia, Drejtor i Informacionit në Top Channel dhe Rrapo Zguri, pedagog i mediave të reja në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës ndanë çmimet për tre fituesit e këtij konkursi mediatik. Kështu, çmimi për shtypin e shkruar  u fitua nga Julian Hoxha, çmimi i raportimit multimedial në ueb nga Xhentjana Muskaj, ndërsa çmimi për videon sociale u fitua nga Arisa Liço.  Dritan Hoxha, sot kujtohet si njeriu i cili me pasionin për inovacionin, krijoi dhe ndërtoi Top Median, ekranin e dashur të të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e më gjerë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>