Lajmet

Shqipëria e 46-ta në botë për shpejtësinë e internetit mobil, e 96-ta në internetin fiks

Dec 12 2017
0 Shpërndarje
Konkretisht për muajin Nëntor, shpejtësia mesatare e internetit mobil në Shqipëri ishte 25.71 Mbps, duke humbur dy pozicione krahasuar me muajin Tetor dhe fituar vetëm një nga muaji Gusht. Shqipëria është e 46-ta në botë për nga shpejtësia e internetit mobil. Shqipëria e 46-ta në botë për shpejtësinë e internetit mobil, e 96-ta në internetin fiks

Në Gusht të këtij viti Ookla, kompania e njohur për zgjidhjet që ofron në testimin e cilësisë dhe shpejtësisë së internetit mobil dhe atij fiks, nisi një projekt të ri të quajtur Speedtest Global Index i cili publikohet çdo muaj krahas raporteve që përpilon për vende të ndryshme të botës.

Ndryshe nga këta të fundit që hyjnë në detaje jo vetëm të internetit por edhe lojtarëve në treg, Speedtest Global Index është një panoramë e përgjithshme e ecurisë së indikatorëve të internetit mobil dhe fiks ku përfshihet edhe Shqipëria.

Në raportin e muajit Gusht, Shqipëria kishte një pikë të dobët dhe ai është interneti fiks. Megjithatë ndërsa që nga vera deri më sot gjërat kanë ndryshuar për mirë në frontin mobil, në atë fiks përmirësime nuk kanë qenë të atilla sa të entuziazmohemi.

Konkretisht për muajin Nëntor, shpejtësia mesatare e internetit mobil në Shqipëri ishte 25.71 Mbps, duke humbur dy pozicione krahasuar me muajin Tetor dhe fituar vetëm një nga muaji Gusht. Shqipëria është e 46-ta në botë për nga shpejtësia e internetit mobil.

Ky treg dominohet nga Vodafone dhe Telekom Albania me mbi një milion abonentë secili ndjekur nga ALBtelecom.

Operatori i katërt celular i cili hyri në treg në 2009-ën, Plus Communication, njoftoi zyrtarisht mbylljen e operacioneve duke filluar nga data 1 Janar e vitit të ardhshëm.

Abonentë e saj por edhe frekuenca do të shkojnë për Vodafone dhe Telekom Albania.

Në internetin fiks, Shqipëria rënditet në vendin e 96 me shpejtësi mesatare prej 12.45 Mbps, një rritje me 1.36 Mbps që nga muaji Gusht dhe rritje vetëm 2 pozicione.

Të gjitha vendet fqinje rënditen më mirë se Shqipëria në të dy sektorët. Konkretisht në internetin mobil Serbia ka një shpejtësi mesatare interneti prej 30.55 Mbps, Greqia 34.22 Mbps, Mali i Zi prej 35.04 Mbps dhe Maqedonia 34.58 Mbps.

Në internetin fiks, Serbia ka një shpejtësi mesatare prej 24.58 Mbps, Greqia prej 14.89 Mbps, Mali i Zi 23.12 Mbps dhe Maqedonia 20.98 Mbps.

Në rang global, Singapori është vendi me shpejtësinë më të lartë mesatare të internetit fiks prej 153.85 Mbps. Norvegjia është vendi me shpejtësinë më të lartë mesatare të internetit mobil prej 62.66 Mbps. /PCWorld Albanian

 

Lajmet e fundit>