Lajmet

Shqipëria nënshkruan marrëveshje me Organizatën Evropiane për Kërkim Bërthamor

Oct 7 2014
0 Shpërndarje
Shqipëria nënshkruan marrëveshje me Organizatën Evropiane për Kërkim Bërthamor

13-10-24-06-31-29small_m-arsimitMinistrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla nënshkroi marrëveshjen me Organizatën Evropiane për Kërkim Bërthamor (CERN) që ka për qëllim bashkëpunimin  ndërmjet institucioneve universitare shqiptare dhe atyre shkencore kërkimore ndërkombëtare. Për CERN marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm, Rolf-Dieter Heuer.

Gjatë fjalës së saj, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, organizuar në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, ministrja Nikolla theksoi rëndësinë që ka kjo marrëveshje  për  zhvillimin e kërkimit shkencor në Shqipëri, duke bërë të mundur që shkencëtarë, inxhinierë dhe teknikë nga Shqipëria të mund të zgjidhen  dhe emërohen si anëtarë të personelit të CERN-it. “Bashkëpunimi me CERN hap një rrugë të re për cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për shkencëtarët, inxhinierët dhe studentët nga Shqipëria për t’u trajnuar apo shkolluar, në institucionet prestigjioze që kjo organizatë evropiane ofron”, tha Nikolla.

Sipas, ministres Nikolla, Shqipëria do të mbështesë projekte kërkimore të CERN-it për të cilat institutet shkencore dhe universitetet nga Shqipëria kanë ekspertizë të veçantë, duke përfshirë fushën e fizikës eksperimentale dhe teorike, përshpejtuese, e  inxhinierisë elektronike, si dhe informatikën.

“Qeveria Shqiptare, në Programin e saj Qeverisës e  konsideron progresin shkencor si paraprijës të zhvillimit shoqëror, ekonomik e kulturor, si një faktor të konsolidimit demokratik dhe si një pjesë themelore të imazhit të Shqipërisë Evropiane”, u shpreh Nikolla.

Ministrja tha ndër të tjera, se krahas këtij bashkëpunimi të rëndësishëm me CERN, Shqipëria merr pjesë në programet e BE-së si “Horizon 2020” dhe Erasmus + duke mundësuar që vendi Shqipëria të jetë partnerë dinjitoz në hapësirën evropiane të kërkimit shkencor. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>