Intervista

Shqipëria gati për “Free Software in Balkans 2010”

Sep 10 2010
0 Shpërndarje
Shqipëria gati për “Free Software in Balkans 2010”

Ideatorët e kësaj konference janë Flavia Marzano dhe James Mike DuPont, të cilët ishin edhe forcat shtytëse për mbajtjen e suksesshme të SFK’09 (Software Freedom Conference) në Kosovë, në të cilën morën pjesë ligjërues nga më shumë se 16 shtete.

“Është me rëndësi të madhe që të kemi një konferencë për Ballkanin që nuk është specifike për një shtet, në mënyrë që të jemi më fleksibil në planifikim dhe të kemi neutralitet politik” thekson për PCWorld Albanian, James Mike DuPont.

“Konferenca në Kosovë ishte mjaft shumë e nevojshme, dhe për shkak të pozitës unike të Kosovës dhe historisë, ishte në rregull që të bëhej një event nacional. Planifikimi për freesb ka buruar nga dy njerëz, një prej Flavia Marzano që vitin e kaluar sugjeroi krijimin e një eventi për Ballkan, dhe Baki e Mirel të cilët kanë kërkuar nga ne që të organizojmë eventin për Shqipëri”.

Për sa i përket Konferencës së Softuerit të Lirë në Ballkan, DuPont shpreson se ajo do të mbahet sërish në vitin e ardhshëm në Shqipëri dhe do të organizohet nga vet Shqipëria, në mënyrë që ata të vazhdojnë me punën. “Ne veçse kemi kërkesa për të shkuar në Bosnje vitin e ardhshëm për Freesb11, dhe kemi disa ide për një konferencë tjetër në mars në Thessaloniki” deklaron James.

“Ervin Ruci, nga Universiteti i Vlorës ka qenë faktori kyç në bërjen e kësaj ngjarjeje. Ai ka qenë i vetmi që ka nxitur fonde për këtë konference, ai ka bashkuar një ekip për të punuar rreth saj, ka organizuar lokacionin, transportin dhe hotelet. Universiteti i Vlorës është një prej universiteteve të pakta në Shqipëri që është përfshirë në FLOSS gjatë viteve të fundit dhe është nder i madh të punosh me ta. Unë do të doja të theksoja se FLOSSK dhe RROTA gjithashtu kanë përkrahur këto tentime dhe se ata kanë ndihmuar aq sa kanë pasur mundësi”.

James DuPont shprehet se është vështirë të organizohet një konferencë e këtillë në Shqipëri për shkak të mungesës së interesit, mungesës së ligjit për të drejta autoriale, mungesës së sponsorëve, grupeve të ndara të interesit dhe situatës së përgjithshme ekonomike, të cilat mund të llogariten si faktor negativ. “Njerëzit në Shqipëri në përgjithësi nuk kanë të hyra të mjaftueshme apo kohë të lirë për t’ia përkushtuar softuerit FLOSS, kështu që është për ta e vështirë të përkushtohet kohë për diçka që nuk u sjellë atyre menjëherë fitime financiare. Por në anën tjetër shqiptarët përfitojnë shumë nga një konferencë e këtij lloji, dhe përfitimet e të pasurit folës të mëdhenj që vijnë në shtetin e tyre dhe sjellin kontakte ndërkombëtare dhe miq të rinj, do të sjellin përfitime për ta në vitet e ardhshme”.

“Synimi im për Shqipërinë në rend të parë është ndihma në përkrahjen e njerëzve që dëshirojnë të bëjnë lidhje ndërkombëtare, gjë që është përfitimi më i madh konkret që mund t’iu ofrojë atyre. Shpresoj se disa do të shfrytëzojnë këtë gjë në dobi të tyre” shprehet James Mike DuPont për PCWorld Albanian.

“Sa i përket FLOSSK, Floss Kosova është caku ynë për të punuar me folësit tjerë të gjuhës shqipe dhe me njerëzit tjerë në rajon për të promovuar FLOSS, dhe shumë prej tyre kanë ardhur në Shqipëri për herë të parë përmes kësaj konference dhe shpresoj se përmirësojmë lidhjet dhe të nxisim shkëmbim të njohurive mes tyre”.

James thekson se duhet të organizohen më shumë wokshop të vegjël dhe të finalizohen punët me OJQ-në flossal.org, në mënyrë që të ndërtohet një ekip i mirë si ai në Kosovë. “Gabimi më i madh i imi deri më tani ka qenë data. Ne do të duhej të organizonim gjërat javën e ardhshme, sepse për shkak të festës së Bajramit, njerëzit e kanë pasur të vështirë gjetjen e kohës për të na ndihmuar”.

Në pyetjen e PCWorld Albanian rreth asaj nëse konferenca do të jetë një sukses i madh, James shprehet se nuk do të jetë një sukses sikurse konferenca në Kosovë që kishte 500 pjesëmarrës, por ai vazhdon se sukses mund të quhet ajo që është bërë diçka në Shqipëri. “Siç thash është shumë vështirë të bësh diçka këtu”.

Dallimi mes Konferencës në Shqipëri dhe Kosovë

Në aspekt të asaj nëse Konferenca në Vlorë do të tërheq vëmendjen nga Konferenca për Softuer të Lirë dhe të Hapur që do të mbahet më vonë gjatë këtij muaji në Prishtinë, përkatësisht me 25 dhe 26 shtator, James deklaron se gjërat kanë qenë për të mirën e të dyjave, sepse kanë qenë në gjendje të ndajnë kostot dhe shpenzimet e fluturimeve mes shteteve dhe gjithashtu të ndajnë edhe folësit.
Njerëzit nuk janë shumë mobil dhe është më mirë të kesh më shumë vente që shpërndahen gjeografikisht”.

“Dallimi më i madh është se ajo në Kosovë do të jetë më e madhe dhe është planifikuar të vazhdohet në Kosovë përgjatë viteve të ardhshme. Ne shpresojmë se Vlora do të vazhdojë në vete organizimin e eventit tradicional gjatë vitit të ardhshëm, dhe ne do të shohim më vonë nëse ata do të pëlqejnë këtë ide. Gjithashtu mund të thuhet se FLOSSK në Kosovë është shumë më i  fuqishëm sesa grupi i ri FLOSSAL në Shqipëri, gjë që është dallimi më i madh deri më tani” shprehet Mike.

DuPont thekson se nuk është përkrahur aq shumë sa ka shpresuar, por vë në pah se ka një partnerë të fuqishëm në Vlorë dhe se shpresa mbetet e gjallë që kjo të jetë pika fillestare për më shumë gjëra të mira në të ardhmen.

“Ne planifikojmë të organizojmë edhe workshop tjerë më të vegjël dhe vente tjera në mes të dy konferencave, pasi që kemi ligjërues që do të qëndrojnë për dy javë në këtë zonë. Jemi në bisedime me Ervis Tusha nga Universiteti Kristal për një prezantim të hënën , pasaj me Jonian Dervishin për një prezantim të vogël në Universitetin Planetary të martën, gjithashtu po punojmë në prezantime për qytetin e Gjakovës me 17/18 të këtij muaji dhe në Prizren me 23/24. Përveç kësaj jemi në bisedime edhe me Universitetin UBT rreth një prezantimi tjetër në Prishtinë”.

Në mesin e folësve kryesor të konferencës dy ditore, Free Software in Balkans 2010, janë Peter Salus, Rob Savoye (themeluesi i GNASH/CYGWIN), Alesssandro Rubini, Leon Shiman (bashkëthemelues i x.org), Ervin Ruci, Marco Fioretti, James Mike DuPont.

Free Software in Balkans 2010 do të mbahet me 11 dhe 12 shtator në Universitetin e Vlorës në Shqipëri, ndërsa është organizuar nga Universitetit i Vlorës , FLOSSK (Free/Libre Open Source Software Association of Kosova), FreeSoft.AL (Albanian Association for Software Freedom and Open Knowledge), dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kurse sponsor medial janë PCWorld Albanian dhe Open World.

Lajmet e fundit>