Lajmet

Shqipëria me operator të katërt me 4 shtator

Aug 17 2010
0 Shpërndarje
Shqipëria me operator të katërt me 4 shtator

Gazmir Isakaj, shef i kabinetit të kryetarit, shpjegon se AKEP ka zgjidhur edhe pengesën e fundit, arritjen e marrëveshjes së interkoneksionit mes Plus dhe operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg.

“Nga inspektimet tona dhe nga informacionet e dhëna nga operatori Plus, na rezulton se ky operator i ka përmbushur detyrimet ligjore dhe më datë 2 korrik ka pasur gjithë infrastrukturën e nevojshme për të nisur aktivitetin. Por, për shkak të mungesës së marrëveshjeve të interkoneksionit me operatorët me fuqi të ndjeshme në treg, Plus nuk mundësonte thirrje jashtë rrjetit, ndaj nuk mund të ofrohej një shërbim i plotë komercial. Për këtë problem, Plus solli një ankesë në AKEP dhe ne hapëm një procedim administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Pasi dëgjoi pretendimet e operatorëve, AKEP mori një vendim që i urdhëron palët të nënshkruajnë marrëveshje interkoneksioni brenda 30 ditëve, çka do të thotë se afati i fundit është data 4 shtator. Brenda kësaj date pritet fillimi i aktivitetit të operatorit të katërt,” tha Isakaj.

AKEP i kishte vendosur operatorit Plus Communication datën 8 korrik si afat të fundit për ofrimin e shërbimit. Por operatorët e tjerë përdorën edhe instrumentin e fundit, marrëveshjen e interkoneksionit, për të vonuar më tej hyrjen në treg të Plus. Pas një procesi që zgjati më shumë se një muaj e gjysmë, AKEP mori vendimin që i detyron operatorët me fuqi të ndjeshme në treg të nënshkruajnë marrëveshje interkoneksioni me Plus, ku asimetria e tarifave mes palëve do të jetë në një nivel disi më të ulët se ajo që kishte kërkuar Plus.

Lajmet e fundit>