Analiza

Shqipëria vazhdon rrugën e monopolit për teknologjinë 3G

Sep 27 2010
0 Shpërndarje
Shqipëria vazhdon rrugën e monopolit për teknologjinë 3G

Teknologjia 3G në Shqipëri po vazhdon të mbetet një temë e nxehtë debati mes operatorëve në njërën anë dhe autoriteteve shtetërore në anën tjetër, por pavarësisht kësaj kjo teknologji ende është larg implementimit edhe pse bota është duke shikuar mundësinë e kalimit në teknologjinë 4G ndërsa Shqipëria po vazhdon të ofrojë mundësinë që të licencohet vetëm një operator.

Sot shteti Shqiptar ka një depërtim të internetit me kabllo prej vetëm 12 për qind, dhe fatkeqësisht mban vendin e fundit në Evropë dhe në rajon në lidhje me depërtimin e internetit dhe përkrahjes së teknologjisë 3G.

Specialistët e IT-së dhe shoqatat përkatëse e shohin teknologjinë 3G si mundësinë e vetme reale për Shqipërinë që të zë hapin me zhvillimin e vendeve tjera. E kur kihet parasysh lansimi i projekteve të rëndësishme nga qeveria e shtetit të Shqipërisë si digjitalizimi i shkollave në Shqipëri e interneti online, atëherë patjetër që duhet të gjinden zgjidhje në mënyrë që të gjithë të kenë internet të shpejtë dhe atë me kosto të përballueshme.

Por projekti i qeverisë për të dhënë vetëm 1 licencë dhe atë me një çmim prej 12.5 milion euro, ka shtyrë reagimin e shoqatave dhe ekspertëve të sektorit të IT-së, të cilët në njëfarë forme këtë ofertë e quajnë si diçka që do të jetë mollë e ndaluar për shumicën e popullsisë së Shqipërisë për shkak të kostos së lartë për ndërtimin e rrjetit 3G nga operatorët të cilët do të kërkojnë kthimin e investimit duke vendosur çmime të larta për konsumatorët. Operatorët e telefonisë mobile në Shqipëri Eagle Mobile, AMC, Vodafone Albania dhe Plus janë njëzëri për sa i përket rishqyrtimit të vendimit për licencën 3G megjithatë deri më tani nuk ka asnjë lëvizje zyrtare nga ana e institucioneve të Shqipërisë të cilat nuk u përgjigjën as ndaj pyetjeve me e-mail të dërguara nga ana e PCWorld Albanian. Ndërsa lëvizje zyrtare nga ana e tyre mund të quhet shpallja e tenderit për licencë 3G, pavarësisht kundërshtimit të shumicës

Së fundi AKEP shpalli edhe zyrtarisht hapjen e tenderit të monopolit për dhënien e një licence të vetme për teknologjinë 3G. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare e hapi të ashtuquajturën garë që do të zgjas 45 ditë dhe kriteri për fituesin do të jetë çmimi. Sipas AKEP të gjitha kompanitë e interesuara duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës deri më 8 nëntor. Por ende nuk dihet nëse do të ketë një pjesëmarrje në këtë garë nga ana e kompanive mobile që operojnë në tregun e Shqipërisë, të cilat kanë kundërshtuar vazhdimisht dhënien e një licence të vetme me argumentin se kështu krijohet një situatë monopoli në treg.

Përveç kësaj duhet ritheksuar se në rast se shpallet ndonjë fitues i tenderit për teknologjinë 3G, atëherë do të arrihej një situatë monopoli prej së paku 15 vitet e ardhshme në Shqipëri, sepse kështu thotë edhe afati i përdorimit të autorizimit të parë që synoni të jap AKEP.

PCWorld Albanian ka realizuar një intervistë me zv/drejtorin e përgjithshëm të Eagle Mobile dhe Drejtor të Grupit Teknik z. Bulent Dorttep, për të sqaruar më shumë në këtë aspekt.
Zv. Drejtori i përgjithshëm i Eagle Mobile: Bulent Dorttep
PCWA:  Cili është qëndrimi i kompanisë Eagle Mobile për sa i përket çështjes 3G?
 
Eagle Mobile, që nga dita e parë e hyrjes në treg është përpjekur që të ofrojë teknologjinë më të lartë me çmimin më lirë të mundshëm. Në këtë kontekst, ne kemi mbrojtur që në fillim domosdoshmërinë e teknologjisë 3G dhe kemi argumentuar se kjo lëvizje është mjaft e vonuar, dhe kemi theksuar herë pas here se shërbimet që sjell kjo teknologji duhet t’u ofrohen përdoruesve. Edhe sot themi të njëjtën gjë, ne si Eagle Mobile jemi gati për këtë teknologji dhe kemi infrastrukturën e duhur për këto shërbime.

PCWA: A mendoni se ka të drejtë ministria që po kërkon të licencojë vetëm një operator dhe atë me një çmim kaq të lartë?
 
Nuk e shohim veten në pozicionin që duhet t’i japim ose jo të drejtë Ministrisë përkatëse. Por ka një të vërtetë, dhënia e vetëm një liçense hap rrugën e një monopoli dhe pengon në mënyrën më reale (direkte) konkurrencën që është gjithnjë në të mirë të njerëzve. Kjo politikë që vjen në një kohë që Eagle Mobile ka sjellë konkurrencë në treg, dhe nënkupton një vonesë të vazhdimësisë së kësaj konkurrence në lidhje me teknologjinë 3G. 

PCWA: Cila mendoni se do të ishte zgjidhja reale për liçencën 3G në Shqipëri?

Duhet të shkohet drejt një zgjidhje ku ky shërbim të ofrohet nga operatorët ekzistues kundrejt me një çmimi më të arsyeshëm. Me këtë mënyrë pa diskutim që fitues do të jetë konsumatori shqiptar. Mënyra më e mirë e ofrimit të shërbimit mobile broadband do të ishte një konkurrencë që në ditën e parë dhe në këtë pikë do të formohej një ekuilibër mes aktorëve. Ofrimi me një çmim më të arsyeshëm do të rriste përdorimin e këtij shërbimi dhe njerëzit do të përshtateshin dhe zhvilloheshin më shpejt me teknologjinë.

PCWA:  Në rast se krijohet një zgjidhje, a është Eagle Mobile gati për të avancuar rrjetin e saj në 3G?

Siç e theksova dhe më parë, që nga dita e parë e daljes në treg Eagle Mobile ka nisur aktivitetin me një infrastrukturë të përshtatshme për teknologjitë 3G dhe 4G. E vetmja gjë që na mungon tani është liçenca. Pra kemi 3 vjet që ne jemi gati dhe presim me pa durim që të ofrojmë këtë shërbim.
 
PCWA:  Nëse keni diçka për të shtuar…

 
Po të shohim vendet e Evropës, vëmë re se Shqipëria i ndjek me vonesë zhvillimet teknologjike.  Ofrimi i kësaj teknologjie në këtë vend, nënkupton një nga pikat kyçe të një kthimi historik në zhvillimin e vendit. Ne si kompani jemi të sigurt që Shqipëria do t’ia dalë me sukses edhe kësaj prove. Por dhënia e kësaj liçense me një çmim kaq të lartë, pavarësisht se në pamje të parë mund të duket diçka fitimprurëse, do të ishte një lëvizje që ndjell efekte negative për ekonominë dhe popullin shqiptar. Ç’është më e rëndësishmja, ky shërbim duhet të përhapet me shpejtësi në të gjithë bazën (popullsinë), dhe jemi të mendimit se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet dhënies së më shumë se një liçense në të njëjtën kohë.

Lajmet e fundit>