Lajmet

Shtohen rregullat strikte për domainet e kompanive në Shqipëri

Jul 11 2018
0 Shpërndarje
Shtohen rregullat strikte për domainet e kompanive në Shqipëri

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me anë të një njoftimi për mediat, ka lajmëruar ndryshimin e rregullores së posaçme që lidhet me regjistrimin dhe administrimin e emrave të domainëve .al, .gov.al, .mil.al, .edu.al, .com.al, .org.al dhe .net.al.

Me ndryshimet e kryera, AKEP vendosi të përmirësojë kushtet dhe përcaktimet e kësaj rregulloreje në lidhje me afatet e veprimeve me domainet, afatet e përdorimit të domaineve, shmangien e praktikave abuzuese të lidhura edhe me numrin e domaineve, të drejta dhe detyrime të Regjistruesve të domaineve, rritjen e transparencës mbi rregullat e AKEP për domainet .al dhe nëndomainet, përmirësimin dhe sistemimin e informacionit për domainet web të Regjistruesve dhe në faqen web të AKEP, miratimin e listës së domaineve të rezervura dhe domaineve të ndaluara, etj.

Sipas AKEP, vihet re se në portale të ndryshme të mediave elektronike, rregullat e vendosura për numrin e lejuar të posedimit të domain.al përfshirë nëndomainet për individët dhe subjektet fizike dhe juridike private/tregtare konsiderohen kufizuese. Duke e konsideruar jo të drejtë këtë informacion, AKEP ka bërë disa sqarime në lidhje me këtë.

AKEP qartëson se numri i lejuar i domaineve .al sipas rregullit të ri të përcaktuar nuk përbën një numër kufizues (apo censurues) mbi të drejtën e përdorimit të këtyre domaineve, por një rregull procedurial kushtëzues sasior për të orientuar përdorimin e tyre efektiv sipas qëllimit për të cilin janë marrë në posedim, brenda një afati 1 vjeçar.

Gjithashtu, nëse një posedues ka nevojë për një numër më të madh domainesh .al, apo nëndomainesh të tij, se sa ai i përcaktuar në rregullore, duke arsyetuar nevojën, është i lejuar të pajiset nga AKEP me të drejtën e posedimit të tyre  duke vendosur kushtin e përdorimit brenda afatit 1 vjeçar.

Vendosja e këtyre rregullave është bërë nga AKEP, pasi është analizuar sjellja e deritanishme e të gjitha kategorive të poseduesve të domain.al, nevojat e tyre historike statistikore,  rastet abuzive dhe keqpërdorimi për arsye interesi në kundërshtim me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, duke ia nënshtruar paraprakisht vendimmarrjen një procesi të gjatë kosultimi publik dhe dëgjesave me palët e interesuara. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>