Biznes

Shtyhet marrëveshja Nokia-Microsoft

Mar 24 2014
0 Shpërndarje
Shtyhet marrëveshja Nokia-Microsoft

m_nokia_aioNokia ka njoftuar se nuk do të jetë e mundur që marrëveshja 7.2 miliard dollarëshe të përfundojë brenda kohës së paracaktuar, marsi i këtij viti. Afati kohor u shty për në prill të këtij viti, edhe pse është konfirmuar disa herë gjatë muajve të fundit që fundi i marsit mund ta shihte Nokia-n pjesë të plotë të Microsoft-it.

Sipas kushteve të marrëveshjes, Nokia duhet të kalojë në pronësi të Microsoft-it të gjitha asetet që ka në të gjithë botën (ato të parashikuara në marrëveshje) dhe e ka arritur me shumicën prej tyre. Por ashtu siç zakonisht ndodh në gjëra të mëdha 7.2 miliard dollarëshe, problemet dalin gjatë rrugës.

Këtyre problemeve, Nokia u është referuar në “Transaksionet janë ende në pritje të aprovimit për shkak të disa autoriteteve të antitrustit në Azi që ende po bëjnë analizat e tyre.” Me këtë Nokia i drejtohet më shumë Indisë dhe fabrikës me 8000 punëtorë në Chennai, një nga më të rëndësishmet për Nokia-n në Indi. Javën e kaluar lajmi që nuk aprovohet shitja e fabrikës u përhap gjithandej, e bashkë me të, edhe aludimet e para për vonesa të shitjes.

Microsoft nuk po e merr me aq stres sa Nokia. Fundja, është Nokia ajo që ka për të shlyer detyrimet tashmë ndaj Microsoft-it. Gjithë ç’ka Microsoft duhet të bëjë është pagesa, e prandaj nuk ka shqetësime në Redmond. Në një postim në një blog, Microsoft-i shkruan: “Ne duam t’ju japim një njoftim të shkurtër në lidhje me statusin e procesit rregulator të aprovimit të blerjes së biznesit të Pajisjeve dhe Shërbimeve Nokia.

Jemi duke iu afruar fazave të fundit në procesin e aprovimeve e deri tani kemi marrë aprovime nga autoritetet rregulatore në 15 tregje të ndryshme në pesë kontinentet. Momentalisht, jemi duke pritur konfirmimin e aprovimit në tregjet e fundit. Kjo çështje është në punë e sipër prandaj presim që ta mbyllim muajin tjetër, prill 2014.” Kjo ishte një pjesë e postimit të Microsoft, gjë që tregon se nuk do të ketë tërheqje nga asnjëra prej kompanive dhe marrëveshja do të shkojë deri në fund.

Fakti se marrëveshja po dështon për tu përmbyllur në kohën e caktuar, u jep shkas analistëve ta rimendojnë situatën. Stephen Elop nuk do të mund të marrë postin e tij kaq shpejt në Microsoft. E as pagesa për Nokia-n nuk do të kalojë brenda marsit. Asnjëra nga kompanitë nuk donte e nuk e priste para një jave që gjërat të shtyheshin për në muajin e ardhshëm, por ja ku jemi. Nokia shkruan se “Procedurat e vonuara në Indi për fabrikën tonë, nuk do të ndikojnë më tej në përfundimin e marrëveshjes sipas kushteve të përcaktuara në të paraprakisht mes Nokia-s dhe Microsoft-it.” E pavarësisht kësaj, do të shohim se si do të shkojë çështja gjatë 30 ditëve në vijim. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>