Lajmet

Si mund ta cenojë privatësinë tuaj në Facebook etiketimi hash

Jun 14 2013
0 Shpërndarje
Si mund ta cenojë privatësinë tuaj në Facebook etiketimi hash

etiketimi hashMe aktivizimin e etiketimeve hash, përdoruesit e Facebook-ut do të shohin mjaft të tilla në furnizuesin e lajmeve.

Gjatë kësaj jave, rrjeti social deklaroi zyrtarisht se do të përfshinte në platformën e vet këtë veçori kaq të përhapur në ueb.

Të ashtuquajturat “etiketime hash” (hashtags) u bënë të famshme nga Twitter dhe përdoren në një sërë rrjetesh sociale të tjera si Instagram, Pinterest, Tumblr etj, duke shndërruar fjalë të caktuara në linqe që mund të klikohen. Në këtë mënyrë, postimi juaj bëhet i kërkueshëm. Pra, me pak fjalë, nëse ju shkruani një status “sapo më dhuruan një #galaxys4”, të gjithë personat që kërkojnë me termin “galaxys4” do të shohin edhe statusin tuaj.

Greg Lindley, menaxher produktesh në Facebook Hashtags, shprehet se nuk ka pasur kurrë më parë një mënyrë më të thjeshtë për të marrë më tepër informacion mbi atë çka po ndodh në botë apo mbi atë se për çfarë po flitet më tepër nga përdoruesit e rrjetit.

Sipas Facebook-ut, etiketimet hash do të shfaqen me ngjyrë blu dhe do t’i drejtojnë përdoruesit në një faqe kërkimi ku do të shfaqen edhe postime të tjera që përmbajnë të njëjtin etiketim. Si pjesë e këtij projekti do të jetë edhe integrimi me Instagram.

Pra, përdoruesit e Facebook-ut do të kenë mundësi të shohin edhe etiketime hash që vijnë nga Instagram-i. Në të ardhmen do të shtohen edhe faqet ku mund të shikoni etiketimet hash më të përdorura për momentin si dhe karakteristika të tjera.

Duke qenë se etiketimet hash janë mjaft të përdorura në shumë faqe në internet, ka disa gjëra që duhet të dini lidhur veçanërisht me privatësinë. Fillimisht, përdorimi i një etiketimi hash nuk ndryshon privatësinë e postimeve tuaja.

Pra, nëse ju keni vendosur që ato t’i shohin vetëm miqtë, edhe nëse shtoni një etiketim hash, postimi do të shihet vetëm nga miqtë. Në këtë mënyrë, nëse miqtë kërkojnë për një etiketim hash që keni përdorur në të kaluarën, vetëm ata do të kenë mundësi ta shohin atë në rezultatet e kërkimit dhe askush tjetër, shprehet Facebook-u. Prandaj, është e rëndësishme që të kontrolloni vetë opsionet e privatësisë.

Së dyti, nëse doni të shkruani vetëm një postim me një etiketim hash që dëshironi të shihet nga kushdo, duhet të ndryshoni privatësinë e postimit, por mos harroni ta riktheni atë ashtu siç ishte, duke qenë se Facebook-u ruan opsionin e fundit që keni përdorur edhe për postimet në të ardhmen.

Për shembull, nëse privatësia juaj për momentin është “Friends Only” dhe dëshironi që një postim të vetëm ta bëni “Public”, atëherë pasi ta keni postuar atë duhet ta ndryshoni sërish në “Friends Only.” (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>