Biznes

Si të fillosh një biznes online me vetëm 100 $

Jan 28 2009
0 Shpërndarje
Si të fillosh një biznes online me vetëm 100 $

 Është tani vallë koha më e mirë për të vënë në jetë atë idenë tënde që prej kohësh e mban në sirtar? Megjithëse tani është kohë e keqe ekonomike për ndërmarrjet e mëdha, në shumë raste, ndërmarrjet e vogla arrijnë të navigojnë më mirë në ujërat e krizës.
Mënyra më e mirë për të ecur para? Fillo të punosh për vete, duke themeluar kompaninë tënde.
Fillimi i një biznesi nuk nënkupton gjithnjë shpenzimin e mijëra dollarëve në kosto fillestare, para se të hapësh dyert për klientët. Mos nxito të shpenzosh kot një thes me para në gjëra që nuk të duhen apo që mund t’i gjesh shumë më lirë diku tjetër.  E kam seriozisht, që me jo më shumë se 100$ mund të sigurosh gjithçka që të duhet për të filluar një biznes online, me aq pak gjëra sa që mund t’i rendisni dhe mbi tavolinë. Ja si bëhet.

Gjej një Web Host me çmim të mirë
Faqja i biznesit tënd duhet ta ketë diku shtëpinë! Si të zgjedhësh një Host që nuk do të të lerë një ditë të bukur të thahesh në diell?
Shumica e shërbimeve Hosting për kompanitë e vogla ofrojnë tipare të ngjashme. Përgjithësisht ofrojnë hapësirë të pakufizuar, mbështetje për të gjitha bazat e të dhënave dhe platformat dhe diku mes disa gigabyte deri në dy terrabyte transfer në muaj.  Në përgjithësi për një kontratë 1 apo 2-vjeçare paguhet nga 5 deri në 15 $ në muaj.
Si të zgjedhësh nga dhjetëra shërbime që gjen në internet? Kërko vëzhgime (review) nga përdoruesit e kohëve të fundit, duke i dhënë rëndësi shpejtësisë me të cilën shërbimi ka arritur të rregullojë problemet dhe sa shpesh shërbimi ka shkuar offline. Nëse pret të kesh trafik të madh në faqen që do ndërtosh, duhet të sigurohesh nëse Host do arrijë të përmbushë kërkesën për trafik. Bëji këto pyetje në fillim, nëse kompania nuk i ka të publikuara diku tiparet e shërbimit që ofron.
Nëse biznesi që po ngre është blogo-centrik mund të fillosh falas me një shërbim hosting për bloge, siç është Worldpress.com. Mund të lëvizësh më pas në një shërbim me pagesë, kur të ndjehet nevoja ose mendon se të duhet diçka më shumë.

Dizenjo një logo dhe uebfaqen
Ka plot site në internet , si Logo Ease (logoease.com) dhe LogoMaker (logomaker.com) që ofrojnë të dizenjojnë falas një logo, mbështetur në të dhënat që jep vizitori nëpërmjet një ndërfaqeje interaktive. Cilësia ka luhatje të mëdha, por në përgjithësi do të mund të realizosh një logo për ta përdorur online. Këto shërbime janë me pagesë kur përdoruesi kërkon që logoja t’i jepet në format EPS, që është më i përshtatshëm për printime në bluza dhe tasa. Një kërkim në internet për “free logo” do rezultojë në dhjetëra alternativa të ndryshme.
Një tjetër mundësi, kjo ndoshta më e mirë, është të kontaktosh një dizajner profesionist, që të të krijojë një logo. Nëse nuk të duhet ndonjë gjë shumë e komplikuar, mund të gjesh dikë në Cragslist, që do të të bëjë punë me 50 apo më pak dollarë. Avantazhi në këtë rast është se ke të bësh me një person me talent në këtë fushë e që do të të krijojë diçka unike dhe jo thjesht një gjë të ftohtë të krijuar nga kompjuteri.
Për sa i përket ndërtimit të faqes, nuk besoj se do të gjesh ndonjë që do të ofrojë të krijojë një faqe për një shumë brenda 100-dollarëshit. Nëse nuk ke mundësi të paguash një dizajner që në fillim, fillo me një dizajn të thjeshtë duke e adoptuar hap-pas-hapi, por përpiqu të bësh sa më pak ndryshime të mëdha brenda ditës apo javës. Kur të vijë koha për ridizenjim, bëj gjithë ndryshimet e kërkuara përnjëherë, duke shmangur mundësinë e mërzitjes dhe hutimit të lexuesve të tu.

Ndërto lehtë dhe me pak pare një faqe për E-Commerce
Nëse planifikon të shesësh diçka fizike do të të duhet një shërbim e-commerce për të kryer transaksionet, për të proceduar kartat e kreditit e për të siguruar të dy palët. Vendosja e gjithë kësaj në serverin që përdor, kërkon kohë, para dhe është e mbushur me rreziqe. Është më mirë të shfrytëzosh për këtë dikë tjetër, që mund të jetë besoje apo jo, shumë ekonomik. Merchant Solutions nga Yahoo (smallbisness.yahoo.com/ecommerce) fillon me 15 $ në muaj. Mund gjithashtu ta konfigurosh si të duash që të plotësojë kërkesat e tua në dizajn dhe shërbim.

Gjej një partner të madh shitjesh
Mijëra tregtarë përdorin shërbimet e Amazon (amazonservices.com) për të promovuar ato që shesin, duke lënë një pjesë të fitimit te Amazon kur artikujt shiten dhe as që të duhet një faqe në internet për të përdorur këtë shërbim. Mund të shesësh thuajse gjithçka te Amazon, duke u regjistruar si tregtar. Gjej një faqe për artikullin që do të shesësh dhe kliko Sell yours here. Tregtarët duhet të paguajnë 40$ në muaj dhe një përqindje për shitjet, që shkon nga 6 deri 20%. Individët mund të regjistrohen pa një tarifë bazë, por do u duhet të paguajnë 99 cent më shumë për çdo artikull të shitur.
Do të gjeni dhe shërbime të tjera të ngjashme te Half.com, që është pjesë e eBay, megjithëse jo me gamën e gjerë që ka Amazon. Nga ana tjetër mund të zhytesh e të provosh te eBay, që është akoma një vend popullor për të shitur mallra të reja e të përdorura, megjithëse është shumë-shumë i zhurmshëm.
Për këshilla të tjera për të filluar një biznes, apo si të ndërtosh një zyrë virtuale e të menaxhosh inventarin dhe transportet, vizito find.pcworld.com/61943.  

 

Lajmet e fundit>